Sport

Test i vështirë për Romën

Në Serie A pritet një vikend me ndeshje të forta, ndërsa Roma e Jose Mourinhos synon të tregojë se është kandidate serioze për titull.

Roma të shtunën luan në udhëtim te Juventusi nga ora 18:30, në kuadër të xhiros së tretë në elitën e futbollit të Italisë.

Roma bashkë me Juventusin, Interin dhe kampionin në fuqi, Milanin, shihen si skuadra pretenduese për titull në Itali, duke mos harruar edhe Napolin e Amir Rrahmanit.

Mourinho me Romën ka bërë nisje të përkryer duke fituar dy ndeshjet e para dhe pa pranuar gol, ndaj Salernitanas dhe Cremoneses.

Tekniku portugez ka përdorur lojtarët e sulmit si Tammy Abraham, Paulo Dybala, Nicolo Zaniolo dhe Lorenzo Pellegrini.

Kundër Juventusit, Mourinho nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e Zaniolos që është lënduar sërish, tani në shpatull. I lënduar është edhe Georginio Wijnaldum, që do të mungojë për disa muaj pasi theu këmbën.

Dybala do të luajë ndaj ish-skuadrës që udhëhiqet nga Massimiliano Allegri. Juve po kritikohet shumë për lojën që po e tregon në fushë. Allegri ka thënë se duhet kohë për t’u përshtatur me sistemin e ri të lojës.

Në pesë ndeshjet e fundit të ndërsjella Juventusi ka tri fitore, një fitore e ka Roma, ndërsa një takim është mbyllur baras.

Juventusi po përballet me lëndime po ashtu. “Zonjës së vjetër” nuk do t’i luajnë Paul Pogba, Federico Chiesa e Kaio Jorge. Në dyshim mbetet Angel di Maria.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, do të përballet me Bolognan të shtunën nga ora 20:45.