Tenisti Filip Paviq dukej tejet i përkushtuar derisa stërvitej me sparing-partnerin e tij që kishte udhëtuar nga Prizreni në lagjen “Marigona”. Paviq po dëshiron ta mbajë formën e tij të mirë përpara se të zhvendoset në Gjenevë të Zvicrës.
Atje, tenisti serb nga Novobërda do të jetë pjesë e një akademie të tenisit për t’u zhvilluar edhe më shumë dhe për të pasur suksese në të ardhmen nën flamurin e Kosovës. E të gjitha këto shpenzime do t’ia heqë një afarist shqiptar që jeton në Zvicër, por ka dashur të mbetet anonim. Paviq ka tri javë që është pajisur me vizë dhe më datën 25 janar do të marrë rrugën drejt Zvicrës. Së bashku me Filipin do të udhëtojë edhe i ati i tij, Gorani. Ky i fundit do të qëndrojë afër të birit për një muaj derisa të adaptohet dhe pastaj do të kthehet në Kosovë, ndërsa Filipi krahas stërvitjeve do ta vazhdojë edhe shkollimin. I ati ende nuk po mund të besojë se të birit të tij i është ofruar një mundësi e tillë. Ai thotë se gjithmonë do t’i jetë falënderues personit që ka ofruar ta mbështetë Filipin në rrugëtimin e tij. Sipas Goranit, Filipi është tejet i lumtur për këtë rast.
“Jam shumë i lumtur që Filipi e ka një mundësi të tillë. Mbi të gjitha, ai është shumë i lumtur dhe me padurim po pret të fillojë të punojë në Zvicër për t’u zhvilluar edhe më shumë. Tash, gjithçka do të varet prej tij, shpresoj të ketë edhe fat”, ka thënë Goran Paviq.
I entuziazmuar për shkuarjen në Zvicrës është shprehur edhe Filipi 15-vjeçar. Ai insiston se është i përkushtuar për t’u stërvitur dhe pas tre vjetësh e sheh veten si profesionist. Madje, synimi i tij është që në të ardhmen të triumfojë në grand slamin “Australian Open”.
“Jam i lumtur për këtë mundësi dhe jam gati. Jam 15-vjeçar dhe pres që më stërvitje të mira të përmirësohem shumë dhe në moshën 18-vjeçare të bëhem profesionist. Kam pritur një mundësi të tillë, sepse kam pasur besim në veten”, ka thënë Filipi. “Dëshira ime është të bëhem kampion dhe të triumfoj në ‘Australin Open’ në të ardhmen”.
Kohët e fundit, Filipi është bërë temë kryesore edhe në Serbi. Madje, mediumet serbe e kanë quajtur shokues faktin që një tenist serb po zhvillohet në Kosovë. Sipas tyre, e ashtuquajtura Kosovë po e merr Novak Gjokoviqin e ri, i cili do të financohet tash e tutje nga një shqiptar nga Gjilani që jeton në Zvicër. E në këto zhvillime është përfshirë edhe Federata e Tenisit e Serbisë që ka thënë se familja Paviq asnjëherë nuk i është drejtuar asaj për ndihmë. Megjithatë, i ati Gorani thotë se nuk ka lënë derë pa trokitur për të birin e tij, por askush nuk i ka dalë në ndihmë deri në momentin kur një shqiptar i ofroi atij mundësinë për të shkuar në Zvicër. Goran Paviq thotë se nuk ka kurrfarë presioni nga askush dhe as nuk dëshiron të merret me këtë punë.
“Nuk dua tani të flas për këtë çështje e as për njeriun që ka marrë përsipër financimin e Filipit, pasi ai nuk po dëshiron të mbetet anonim. Më në fund, Filipi e ka një rast të mirë për të shkuar në Zvicër dhe për t’u zhvilluar edhe më shumë. Ishte rasti i fundit, sepse po të mos ishte ky njeri, Filipit do t’i duhej të hiqte dorë pasi që nuk mund ta përballonim financiarisht. Kur na është lajmëruar nuk ka besuar askush, pasi gjatë këtyre gjashtë vjetëve nuk na ka dalë në ndihmë. Nuk kemi lënë derë pa trokitur”, ka thënë Goran Paviq. “Askush nuk e ka pasur obligim por pasi ishte talent kam pritur ndihmë. Ky njeri ka dashur ta përkrahë dhe ka ardhur për të folur prej muajit korrik. I jam falënderues i madh për këtë mundësi. Të gjithë jemi të lumtur, në veçanti Filipi. Na është realizuar një dëshirë dhe ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës ndaj tij”.
Filip Paviq është pjesë e Federatës së Tenisit të Kosovës, ka pasaportë të Kosovës dhe luan në garat që organizohen nga FTK-ja. Në katër vjetët e fundit është kampion i Kosovës në gjeneratën e tij, ndërsa tani po paraqitet me grupmoshën U16. Në fakt, tenisti Paviq edhe në turnetë e paktë që ka marrë pjesë jashtë Kosovës është paraqitur me flamurin kosovar. E, sipas babait të tij, afaristi që do të kujdeset për Filipin do të vendosë se cilin shtet do ta përfaqësojë i biri i tij.
“Deri më tani unë kam mundur të vendos, por tash e tutje për këtë vendos njeriu që e ka marrë përsipër financimin e Filipit. Për gjashtë vjet të gjithë e kanë pasur mundësinë, por askush nuk ka besuar në Filipin”, shtoi babai Goran Paviq.
Filipi prej moshës nëntëvjeçare ka filluar të merret me tenis. Ai është stërvitur i vetëm në Novobërdë duke e goditur murin me top. Ai edhe tani kur nuk udhëton të stërvitet në lagjen “Marigona”, stërvitjet i bën në Novobërdë në kushte të vështira, pasi në vendin ku stërvitet nuk ka as rrjetë. Tenisti i ri, fillimisht ka qenë pjesë e ekipit të Graçanicës, por ka tre vjet që nuk është pjesë e asnjë klubi dhe stërvitet i vetëm.
“Kam nisur të merrem me tenis prej vitit 2016 vetëm për t’u mos u bërë monoton dhe për të mos qëndruar kot në shtëpi. Gjithmonë e kam dashur tenisin, sepse e kam përcjellë Novak Gjokoviqin dhe kur mora për dhuratë pajisjet e këtij sporti fillova të merrem me të. Kryesisht kam stërvitur i vetëm duke e goditur topin për muri. Tani jam i kënaqur me stërvitjet, sparingjet dhe gjithçka tjetër. Stërvitjet deri më tani kanë shkuar mirë, ndonëse nuk ka qenë e lehtë që të udhëtoj për 50 kilometra nga shtëpia për të shkuar në stërvitje”, ka thënë Filip Paviq.
Në Zvicër, ai nuk e di se pjesë e cilës akademi do të jetë, por afaristi që do të mbulojë të gjitha shpenzimet tashmë i ka thënë se ia ka angazhuar tre trajnerë për zhvillimin e tij.
“Filipi ka nisur në moshën nëntëvjeçare me këtë sport, ai hapat e parë i ka marrë duke e goditur topin për muri. Bazën aty e ka marrë, për të vazhduar pastaj gradualisht ngritjen. Ka shumë potencial dhe presim shumë prej tij”, ka thënë Goran Paviq. “Kushtet ku stërvitet në Novobërdë nuk janë aspak të mira. Nuk ka rrjetë tenisi, por thjesht murin. Kur nuk vijmë të mbajmë sparingun, Filipi stërvitet atje dhe nuk e ka aspak të lehtë. Për gjashtë vjet rregullisht kemi udhëtuar dhe gjithçka e kemi bërë me shpenzimet tona që ishte shumë vështirë. Mirëpo, tani Filipit i është dhënë një mundësi që gjithmonë e ka ëndërruar”.