Sport

Federata e Serbisë përfshihet në zhvillimet rreth tenistit të talentuar serb nga Kosova

Ashtu si pritej, Federata e Tenisit e Serbisë është përfshirë në zhvillimet që kanë të bëjnë me tenistin e ri nga Kosova, Filip Paviq.

Paviq është pjesë e Federatës së Tenisit të Kosovës, ka pasaportë të Kosovës dhe luan në garat që organizohen nga FTK-ja. 15-vjeçari është nga Novobërda dhe së shpejti pritet të udhëtojë për në Zvicër, ku do ta vazhdojë karrierën. Shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Zvicër ia mbulon një afarist shqiptar nga shteti helvetik.

Paviq i takon nacionalitetit serb dhe kjo ka bërë që media të caktuara beogradase të merren me rastin e tij. Është gazeta “Kurir”, e njohur për qëndrime antishqiptare, që ka shkruar se Serbia mund ta humbë “Gjokoviqin e ri”. Filip Paviq vlerësohet prej më të talentuarve të gjeneratës së tij në Kosovë dhe ka fituar turne të ndryshëm, ndonëse ushtron në kushte të vështira dhe pa trajner.

Babai i tenistit është ankuar për mungesë të përkrahjes dhe pasi çështja ka fituar në publicitet, është paraqitur edhe Federata e Tenisit e Serbisë. Pritet të bëhen përpjekje për ta bindur Paviqin që mos të luajë në garat që i organizon Kosova dhe eventualisht të luajë për Kosovën, nëse merr ftesë.

“Për gjithë situatën dimë aq sa është shkruar në media. Paviqët asnjëherë nuk i janë drejtuar Federatës së Tenisit të Serbisë. Ka pasur tenistë të tjerë që janë lajmëruar, por ai jo. Tenisi është goxha i komplikuar. E keni rastin e tenistëve kroatë, Ivan e Matej Sabanov që kanë luajtur për Kroacinë e tani për Serbinë. Problemi është që i ashtuquajturi shtet i Kosovës është i pranuar nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit dhe Federata Evropiane e Tenisit”, ka thënë Aleksandar Boliq, drejtor sportiv në Federatën e Tenisit të Serbisë.

Jo rrallë organizatat sportive në Serbi janë aktivizuar për të penguar përfshirjen e serbëve nga Kosova në sportin kosovar.

“Të sqarojmë, absolutisht nuk jemi të mbyllur për bashkëpunim. Dy-tri herë në vit organizojmë shkollim falas për tenis në Kosovë. Mundohemi të ndihmojmë aq sa kemi mundësi. Sidomos nëse lojtarët kanë kualitet, gjithsesi janë të mirëseardhur. Le të na drejtohen dhe më pas me kënaqësi do të shohim se çka mund të bëjmë”, ka shtuar Boliq.

Nga “oferta” e Federatës serbe duket të mos jetë i joshur Goran Paviq, babai i tenistit të talentuar. Ai pritet ta shoqërojë tenistin e ri në Zvicër. Goran Paviq ka pranuar se synimi i madh është që tenisti i ri serb të mos luajë për Kosovën.

“Gjashtë vjet në adresa të ndryshme kam pyetur dhe jam lutur për ndihmë. Nuk mund as të numëroj në sa vende jam lajmëruar, nuk më ka ardhur turp për shkak të djalit tim. Njerëzit nga Federata e Tenisit e Serbisë i dinë të gjitha. Më ftojnë që t’iu drejtohem? Si t’i besoj unë dikujt më? Ka pasur shumë premtime, por e gjitha sjell në atë që të mos e lejojë Filipin të luajë për Kosovën. Kur nuk e lë, përnjëherë të gjitha projektet dështojnë. Tre vjet Filipi ka punuar pa trajner dhe pasi nuk kishte vend të përhershëm për stërvitje ka ndodhur që e ka marrë raketën dhe topin dhe ka goditur në mur”, ka thënë Goran Paviq për “Kurir”.