Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tenisti japonez Nishikori rezulton pozitiv me koronavirus

Tenisti japonez Kei Nishikori ka njoftuar të dielën se ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri. Ai është testuar në Florida, vetëm dy javë para fillimit të Grand Slamit “US Open”, shkruan agjencia Reuters.

Nishikori 30-vjeçar ishte duke qëndruar në “IMG Academy” në Florida. Ai është tërhequr nga pjesëmarrja në turneun “}estern & Southern Open”, turne para “US Openit” që mbahet më 31 gusht.

“Këtë mëngjes në Florida, jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Do të tërhiqem nga turneu në Cincinnati. Planifikoja të udhëtoja nesër në New York, por do të qëndrojë në Florida”, ka thënë Nishikori.

Ai ka shtuar se ka shumë pak simptome dhe është në vetizolim.

Një numër i lojtarëve kanë heqë dorë nga pjesëmarrja në “US Open” nga frika se mund të infektohen me koronavirus. Në SHBA janë regjistruar mbi 5.3 milionë persona me koronavirus dhe kanë vdekur afro 170 mijë persona.

Është tërhequr edhe kampioni në fuqi Rafael Nadal, tenistja numër një Ash Barty. Po ashtu kampionia në fuqi e “US Open”, Bianca Andreescu.