Model i stabilitetit në periudhën e gjatë të Alex Fergusonit - të mbushur me trofe - Manchester Unitedi e zyrtarizoi trajnerin e pestë në nëntë vjet qëkur Ferguson u pensionua. Gjiganti anglez ka angazhuar Erik ten Hagun nga Ajaxi.
Ardhja e Ten Hagut u njoftua nga Unitedi të enjten. 52-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës në fund të këtij edicioni, ndërsa kontrata është e vlefshme deri në vitin 2025.
Ai ka për detyrë që ta ngrejë një superfuqi të përgjumur në futbollin evropian, që është duke kaluar periudhën më të gjatë pa fituar trofe në afër 40 vjet.
Unitedi u udhëhoq nga trajnerët e përkohshëm Michael Carrick dhe trajneri i tanishëm, Ralf Rangnick, qëkur Ole Gunnar Solskjaer u shkarkua në muajin nëntor.
Duke e zbatuar filozofinë sulmuese të të madhit Johan Cruyff, Ten Hag solli kohët e mira të Ajaxit duke e udhëhequr skuadrën më të madhe në Holandë drejt dy titujve që mund të bëhen tre tituj brenda pak javëve. Ishte edhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2019.
Rikthimi i Unitedit në lartësinë e mëparshme do të jetë sfidë edhe më e madhe. Skuadra fitoi titullin rekord, të 20-in në Angli, në vitin 2013, në sezonin e fundit të Fergusonit në periudhën e tij 26-vjeçare. Unitedi nuk ka fituar trofe qëkur mposhti Ajaxin në finale të Ligës së Evropës në vitin 2017.
Unitedi nuk ka përjetuar periudhë kaq të gjatë pa trofe në 40 vjetët e fundit dhe ka mbetur shumë prapa rivalëve, Manchester City dhe Liverpooli, pavarësisht se vazhdimisht shpenzon shumë para në lojtarë.
Tri herë kampioni i Evropës ndoshta nuk do të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve në edicionin tjetër. Unitedi është tri pikë larg top-katërshes së Premier Leagues, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund.
Ten Hag mund të jetë trajneri më i madh që rrezikon në periudhën e turbullt pas Fergusonit te skuadra e Unitedit.
Përveç periudhës dyvjeçare të kaluar te skuadra rezervë e Bayern Munichut (2013-15, kur Pep Guardiola ishte në krye të ekipit të parë), Ten Hag ka qenë trajner vetëm në Holandë – te Go Ahead Eagles, Utrechti dhe së fundmi tek Ajaxi që nga viti 2017.
Holandezi nuk është testuar me egon e disa prej emrave më të mëdhenj në botën e futbollit. Unitedi ka disa prej tyre, si” Cristiano Ronaldo, Paul Pogba dhe Bruno Fernandes.
Një përkrahës i formacionit 4-3-3 që është aq i popullarizuar në Holandë, Ten Hag provon të luajë futboll atraktiv, futboll sulmues në mënyrën e ekipeve të udhëhequra nga Cruyffi, hija dhe filozofia e të cilit qëndron në klubin holandez, njësoj si e Fergusonit në “Old Trafford”.