Sport

Te Zuerichu i besojnë mbrojtjes shqiptare në përpjekje për ta fituar titullin e kampionit

Zuerichu po marshon drejt titullit të kampionit në Superligën e Zvicrës. Të shtunën mbrëma skuadra e njohur fitoi 3:1 në shtëpi ndaj St. Gallenit.

Zuerichu udhëheq në tabelë me 40 pikë nga 18 ndeshje. Baseli është i dyti me 32 pikë nga 17 ndeshje. Lugano i ka 30 pikë po ashtu nga 17 ndeshje.

Edicionin e kaluar Zuerichu u rendit i teti me 43 pikë. Pozita e nëntë dërgoi në plejaut.

Në kampanjën që shpresohet të përfundojë me titull, te Zuerichu po bazohen shumë në futbollistet shqiptarë. Mbrojtjen me tre lojtarë vazhdimisht e përbëjnë dy shqiptarë. Talenti Beçir Omeragiq, që luan për Zvicrën, zakonisht vendoset në të djathtë të mbrojtjes me tre lojtarë. Në qendër e në të majtë kryesisht janë Mirlind Kryeziu e Fidan Aliti.

Kur mungon njëri prej tyre, aty është Lindrit Kamberi, tjetër mbrojtës shqiptar i vlerësuar te Zuerichu. Por Kamberi aktualisht renditet pas Kryeziut, Alitit dhe Omeragiqit. Në një ndeshje ndaj Sionit kishte munguar Omeragiq dhe Kamberi e kishte zëvendësuar.

Të dielën mungoi Aliti, që ishte i pezulluar për shkak të kartonëve. Dhe në vend të tij rastin e fitoi Kamberi.

Omeragiqi shënoi autugol, por mbrojtja e kreu punën. Fitorja 3:1 e dëshmon këtë. Pos që kryen detyrat e tyre në repartin defanziv, Kamberi e Kryeziu dhanë kontribut edhe në sulm. Kryeziu asistoi në golin e epërsisë 2:1, në minutën e 78-të. Ndërsa Kamberi shënoi për 3:1, rezultatin final, në minutën e 86-të. Assan Ceesay shënoi penallti në minutën e 28-të për rezultatin 1:1. Penalltia ishte shkaktuar për ndërhyrje në Blerim Xhemailin.

Bledian Krasniqi është tjetër lojtar në të cilin llogaritin te Zuerichu. Ai të shtunën u aktivizua si zëvendësues.

Kamberi ka shënuar golin e parë në Superligën e Zvicrës. Ai realizoi me goditje me kokë pas një goditje nga këndi. 22-vjeçari ka dhjetë paraqitje në Superligë. Gjashtë i kishte luajtur edicionin e kaluar, ndërsa këtë edicion i ka katër.

Zuerichu është kampion vjeshtor në Zvicër. Kjo skuadër titullin e fundit e ka fituar në vitin 2009. Në vitet e fundit ishte në krizë. Madje ishte larguar edhe nga Superliga. Por, këtë edicion po e kërkon titullin e kampionit.

“Pjesa e parë nuk ishte e mirë. Por, e kaluam pa dëm të madh dhe kjo tregon shumë për karakterin tonë dhe dëshiron tonë për fitore”, ka thënë mesfushori Xhemaili.

Sidomos për Kamberin ishte ndeshje e veçantë.

“Është e shkëlqyeshme të shënoj për 3:1 para tifozëve tanë”, ka thënë ai. Kamberi ka pranuar se pjesa e parë nuk ishte e duhura.

“Por, përkundër të gjithave, mentaliteti ynë në pjesën e dytë ishte i duhuri. Në fund u shpërblyem me fitore”, ka shtuar Kamberi.