Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkujt) do t’i mësojë dy kundërshtarë të mërkurën. Bëhet fjalë për kundërshtarët e dy cikleve të ndryshme kualifikuese.
Në Vjenë të Austrisë prej orës 11:00 tërhiqet shorti për fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2025. Ndeshjet e fazës së parë kualifikuese janë në fillim të nëntorit. Në short, Kosova është në vazon e dytë së bashku me Letoninë, Italinë, Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Në vazon e parë janë Izraeli, Sllovakia, Finlanda, Turqia dhe Estonia. Njëra prej përfaqësueseve të vazos së parë do të jetë përballë Kosovës më 1/2 e 4/5 nëntor.
Ndërkohë do të tërhiqet shorti edhe për “raundin promovues” për Evropianin 2026. Është ky raund i ndërmjetëm para kualifikimeve të rregullta. Në fakt Kosova është paraqitur direkt në kualifikimet e rregullta në dy ciklet e kaluara. Por ka pësuar rënie dhe tani duhet ta kalojë një kundërshtar për të arritur në fazën kryesore kualifikuese.
Kosova bashkë me Belgjikën dhe Luksemburgun janë bartës në short. Në vazon e dytë janë Letonia, Britania e Madhe dhe Qipro. Ndeshjet e raundit promovues për Euro 2026 janë në janar të vitit të ardhshëm.