Ndeshja ndaj Kosovës mund të sjellë shumë për Maqedoninë e Veriut. Kështu të paktën ka theksuar Igor Angelovski, selektor i Maqedonisë së Veriut, të hënën mbrëma, pas stërvitjes së parë të kësaj përfaqësuese.
Maqedonia e Veriut dhe Kosova takohen të enjten në Shkup në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”. Fituesi i ndeshjes i afrohet Evropianit, ndërsa Maqedonia e ka përparësinë e terrenit vendas. Për më tepër gjendja me fond të lojtarëve duket të jetë më e mirë te Maqedonia e Veriut, që nuk përballet me mungesa të shumta, si Kosova.
“Kjo është një ndeshje që mund të na sjellë shumë. Ndeshje që mund të na afrojë edhe më tepër me Evropian. Kjo ndeshje dërgon te ajo finale në të cilën shpresoj se Maqedonia do të jetë. Ekipi ynë nacional ka pritur për një vend në barazh për 30 vjet. Ne jemi në këtë situatë për momentin. Më njihni mirë, e dini që koncentrohem vetëm në ekipin tim dhe pavarësisht se çka ndodh në kampin kundërshtar, 11 lojtarë do të vrapojnë për ne dhe do të duan të sjellin fitoren për Maqedoninë. Unë jam i sigurt se do të jetë ashtu. Ata do të bëjnë kombin të lumtur me triumf”, ka thënë Angelovski, përcjellin mediat maqedonase.
Kapiteni Goran Pandev është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut. Ai ka shtyrë pensionimin me shpresë për të luajtur në Evropian.
“E dimë të gjithë se sa shumë Pandev dëshiron të kualifikohet në Evropian. Telashet nëpër të cilat ai ka kaluar, kanë konfirmuar edhe një herë dëshirën e tij të madhe për të luajtur me Maqedoninë në garë të madhe”, ka shtuar Angelovski.
Përzgjedhësi maqedonas ka treguar se të gjithë lojtarët që i ka në listë janë të gatshëm për ndeshje. Maqedonisë së Veriut i mungon Elif Elmas, një lojtar me shumë cilësi, por që është prekur nga COVID-19. Angelovski beson se grupi i lojtarëve do të jetë në gjendje të kompensojë mungesën e Elmasit.
Vlatko Stojanovski është njëri prej lojtarëve që mund të zëvendësojë Elmasin.
“Ju mund të prisni vetëm maksimumin nga ne futbollistët, pasi të gjithë e dimë se kjo ndeshje do të thotë shumë për ne dhe për gjithë vendin. Ne kemi tri ditë që të përgatitemi për këtë ndeshje historike. Ne do t’i analizojmë ata, do të studiojmë atë që është thënë, do të gjejmë anët e mira dhe të dobëta të kundërshtarit dhe do të orientojmë veten se si të luajmë dhe të fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Stojanovski.
Edhe në stërvitjen e parë të Maqedonisë munguan shumë lojtarë, që ishin në pritje të rezultatit të testit për COVID-19.
Darko Velkovski, Ezgjan Alioski, Gjoko Zajkov, Kire Ristevski, Arijan Ademi, Boban Nikolov e Visar Musliu pritën rezultatet e testit. Ndërkohë Enis Bardhi të hënën mbrëma është bashkuar me përfaqësuese. Ai të dielën kishte ndeshje në Spanjë.
Për ndeshjen me Kosovën janë ftuar gjashtë futbollistë shqiptarë. Bardhi, Ademi, Alioski, Musliu, Egzon Bejtullai e Ferhan Hasani janë të rëndësishëm te Maqedonia e Veriut.