Te skuadra nga San Marino, La Fiorita, nuk kanë synime të mëdha për ndeshjen e kthimit kundër Ballkanit në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në fakt, La Fiorita është pajtuar me eliminimin në këtë fazë të garës së nivelit të tretë të UEFA-s. Dhe, krejt çka kërkojnë në duelin e kthimit është një paraqitje më e mirë sesa në ndeshjen e parë që u luajt javën e shkuar në San Marino.
Duelin e parë Ballkani triumfoi me rezultatin 4:0, ndonëse ka mundur të shënojë edhe më shumë gola sikur futbollistët e ekipit nga Suhareka të shfrytëzonin të gjitha rastet që i patën. Ndeshja e kthimit ndërmjet Ballkanit dhe La Fioritas do të zhvillohet të martën prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra e La Fioritas të hënën mbrëma ka aterruar në Prishtinë, ndërsa në mbrëmje ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Ballkanin. Këtë stërvitje trajneri Oscar Lasagni e ka përdorur për të shuar dyshimet e fundit për formacionin e tij startues kundër Ballkanit.
Megjithatë, për dallim prej ndeshjes së parë, La Fiorita do ta ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjen e kthimit. Lorenzo Lunadei, Tommaso Zafferani, Matteo Vitaioli dhe Antonio Pellegrino do të jenë mungesat e ekipit nga San Marino.
Lojtarët do të mungojnë jo për shkak të lëndimeve apo kartonëve, por për arsye të obligimeve që i kanë në punë, duke zgjedhur kështu punën para ndeshjes ndaj kampionit të Kosovës. Edhe pse kalimi në raundin tjetër është mision i pamundur për La Fioritan, trajneri Lasagni ka thënë se kjo nuk e pengon aspak ekipin e tij që të ketë synime në Prishtinë. Lasagni ka vlerësuar lart kampionin e Kosovës, Ballkani, që për herë të parë po paraqitet në garat evropiane këtë edicion.
“Ne patjetër duam të bëjmë një paraqitje më të mirë se në ndeshjen e parë. Përballja e parë ishte një lojë në të cilën bëmë shumë gabime dhe kjo na kushtoi me humbje të thellë. Në ndeshjen e kthimit ne duam të bëjmë performancën tonë, e cila duhet të na shërbejë mbi të gjitha në funksion të kampionatit. Ne kemi një ekip të rinovuar, djemtë duhet të mësohen të luajnë së bashku dhe të luajnë për këtë fanellë, e cila dallon prej tjerave”, është shprehur Lasagni të hënën për faqen zyrtare të klubit.
Edhe
Ballkani është i vendosur për ta mposhtur La Fioritan në San Marino
“Duhet të përmirësohemi mbi të gjitha në ndërgjegjësimin e synimeve që i kemi duke luajtur pa frikë ndaj skuadrave më të forta. Ne përballemi me një ekip të vlefshëm dhe të trajnuar mirë, por kam besim në ekipin tim. Mendoj se mund të bëjmë një test të mirë”.
Te La Fiorita e kanë parasysh se në ndeshjen e kthimit Ballkani nuk e ka vetëm rezultatin e favorshëm, por edhe përkrahjen e publikut vendas. E trajneri Lasagni shpreson që në tribunat e stadiumit në Prishtinë të ketë sa më shumë tifozë, pasi insiston se kjo do ta motivonte edhe më shumë ekipin e tij për një paraqitje të mirë ndaj Ballkanit.
“Shpresoj që faktori publik të jetë më shumë një ndihmë për ne, sesa të na penalizojë. Për një ekip si i yni, të luash përpara një turme të madhe duhet të jetë shpërblyese dhe të na japë stimulim shtesë”, ka insistuar Lasagni.