Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Braziliani i Ballkanit synon titullin dhe fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, është një hap larg kualifikimit në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës. Të martën mbrëma në Prishtinë, skuadra nga Suhareka do ta luajë ndeshjen e kthimit ndaj ekipit nga San Marino, La Fiorita. Duelin e parë, Ballkani e ka fituar me rezultat të thellë 4:0. Suharekasit triumfuan si mysafir, duke krijuar epërsi të larta pas takimit të kthimit. Dy gola i shënoi Albion Rrahmani, i cili luajti për herë të parë si titullar në garat evropiane, kurse nga një gol e realizuan Meriton Korenica dhe Albin Berisha. Fitorja ka mundur të jetë edhe më e thellë, sikurse lojtarët e Ballkanit të konkretizonin rastet e shumta që kishin.

Në 15-të minutat e fundit kundër La Fioritas, te Ballkani në lojë hyri edhe braziliani Lucas Cardoso. Ai kishte luajtur si zëvendësues edhe në ndeshjen e dytë kundër Zhalgirisit në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Cardoso ka folur për mediat në Brazil lidhur me ndeshjen e kthimit që zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 20:00. Sipas tij, Ballkani duhet të festojë vetëm pasi ta sigurojë kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës. Ai theksoi se kalimi tutje ka rëndësi të madhe për kampionin e Kosovës.

“Edhe pse kemi një avantazh të mirë nga ndeshja e parë ku kemi fituar thellë, do të festojmë vetëm nëse klasifikimi sigurohet kur të përfundojë ndeshja e radhës. Kjo garë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe ne do ta trajtojmë me shumë kujdes”, deklaroi Cardoso.

Braziliani erdhi te Ballkani në verë të këtij viti. Cardoso ka ardhur në kohën e trajnerit Ilir Daja, i cili e njeh shumë mirë lojtarin, pasi Cardoso ka luajtur në Shqipëri te Partizani i Tiranës dhe Besa e Kajavës. Në Kosovë, ai ka qenë pjesë e Dritës për gjashtë muaj. Sulmuesi i krahut ka karrierë edhe në ekipet e ndryshe të Ballkanit. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës ka luajtur edhe në Maqedoni. Karrierën e ka nisur në Brazil, kurse ka luajtur edhe në Kazakistan. E me fanellën e Ballkanit, Cardoso ka synime të mëdha: mbrojtjen e titullit të kampionit të Kosovës dhe kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Unë dua ta fitoj titullin e kampionit të Kosovës, si dhe të luaj në Ligën e Konferencës me Ballkanin. Individualisht, i dua këto dhe dua të jem i dobishëm për ekipin”, tha Cardoso.

Ballkani po merr pjesë për herë të parë në garat evropiane. Si kampion i Kosovës u paraqit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. U përballë me Zhalgirisin e Lituanisë dhe u eliminua. Barazoi 1:1 në Prishtinë, por humbi në ndeshjen e kthimit dhe u eliminua. Më pas, garat i vazhdoi në Ligën e Konferencës ku është afër kalimit në rrethin e tretë. Fituesi i përballjes, Ballkani – La Fiorita, në raundin e tretë të Ligës së Konferencës do të luajë ndaj fituesit Sutjeska – Klaksvik. Ndeshja e parë mes këtyre ekipeve ka përfunduar 0:0.