Bayern Munichu ka siguruar argëtim të mjaftueshëm për tifozët dhe shumë ankth për ekipin gjatë këtij edicioni. Bayerni ka pësuar gol i pari në secilën prej tetë ndeshjeve të fundit në kuadër të Bundesligës, përpara se të kthehet për të fituar ose për të barazuar.
Madje, në duelin e fundit, atë kundër Mainzit, situata ishte edhe më e vështirë. Bavarezët e mbyllën pjesëlojën e parë me disavantazh prej dy golave, për të shënuar pesë gola në pjesëlojën e dytë dhe për ta fituar ndeshjen me shifrat 5:2. Ky start i ngadalshëm në ndeshjet e fundit nuk kanë shqetësuar vetëm futbollistët, por edhe trajnerin e Bayernit, Hansi Flick, që ka paralajmëruar ekipin e tij.
“Ne gjithmonë kemi nevojë për një thirrje që të zgjohemi nga gjumi për shkak se vazhdimisht po pranojmë gola të parët dhe kjo aspak nuk është mirë. Pasi po jemi në disavantazh, po duhet të sakrifikojmë shumë për ta kthyer rezultatin në favorin tonë, e që ndonjëherë edhe nuk po arrijmë”, ka pranuar sulmuesi i krahut, Leroy Sane.
“Kjo po na kushton me shumë energji të shpenzuar, gjë që nuk guxon të na ndodhë dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme duhet të jemi më të zgjuar”.
Edhe Joshua Kimmich e ka pranuar se Bayerni nuk po tregon mjaftueshëm në pjesëlojën e parë në ndeshjet e fundit, gjë që po i kushton me pranimin e golave. Në fakt, Kimmich në duelet e fundit është aktivizuar si mbrojtës i krahut të djathtë, duke e zëvendësuar Benjamin Pavardin. Ndërkohë, trajneri Hansi Flick tha se qasja e ekipit të tij është “neglizhente”, gjë që nuk po i pëlqen aspak.
“Nëse vazhdojmë kështu, atëherë ky pasivitet që po e tregojmë në pjesëlojën e parë mund të na kushtojë në ndeshjet e ardhshme, të cilat janë shumë të rëndësishme. Shpresoj që ekipi të reagojë më herët dhe mos të ndjekim vazhdimisht rezultatin”, është shprehur Flick, që ka zbuluar se tashmë ka biseduar me futbollistët e tij në lidhje me këtë çështje që beson se nuk do të përsëritet më.
Bayerni është lider në Bundesligë dhe është kualifikuar në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve. Edhe pse ekipi nuk është në krizë, pësimi i golave të hershëm në mënyrë të përsëritur nuk është një garanci për trajnerin Flick deri në fund të këtij edicioni, të cilin shpreson ta përfundojë me trofe.
“Duhet ta kemi parasysh se kundërshtarët më të fortë nuk do ta lejojnë kthimin tonë në lojë pas disavantazhit. Së shpejti nisin edhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe këtë problem duhet ta eliminojmë që nga ndeshja e ardhshme”, shtoi Flick.
Nuk është e vështirë të konstatosh se për çfarë arsye lojtarët e Bayernit po shfaqin vështirësi të qëndrojnë të përqendruar gjatë tërë ndeshjes. Orari ka qenë i ngjeshur apo më ndëshkues sesa për pothuajse çdo klub tjetër mes pandemisë së koronavirusit, me dy ndeshje çdo javë që nga triumfi në Ligë të Kampionëve në muajin gusht. Flick ka treguar se si kalendari i mbushur me ndeshje i Bayernit po ia kufizon atij stërvitjet dhe përgatitjet për ndeshje.
“Lojtarët janë lodhur dhe më shumë po duhet të mendoj për pushimin e tyre sesa për stërvitjet. Nuk është aspak lehtë të menaxhohet një situatë e tillë”, ka thënë Flick.
Dy javë pushim për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri sollën një freskim të shkurtër, por javët e ardhshme do të jenë të vështira për bavarezët. Bayerni ka edhe pesë ndeshje të tjera në Bundesligë dhe një tjetër të riprogramuar të Kupës së Gjermanisë në janar, përpara botërorit të klubeve që mbahet muajin tjetër në Katar dhe ndeshjes së Championsit kundër Lazios. Shumica e atyre kundërshtarëve do të jenë më të ashpër se Mainzi, i cili ka një fitore në ligë gjatë gjithë sezonit dhe kishte një trajner të përkohshëm të dielën.
Flick ka folur për nevojën për ta ndryshuar skuadrën këtë sezon, pasi Bundesligën dhe Ligën e Kampionëve Bayerni i fitoi edicionin e shkuar me një grup të vogël lojtarësh bartës. Lojtarë të rinj nuk kanë ardhur, derisa talentet si Jamal Musiala dhe Joshua Zirkzee ende nuk kanë arritur të depërtojnë në ekipin e parë. Bayerni mbështetet më shumë se kurrë në lojtarët bartës. Sulmuesi Robert Lewandowski, që u shpall lojtari më i mirë nga FIFA për vitin 2020, ka vazhduar me formën e mirë edhe këtë sezon. Ai ka shënuar nëntë gola në tetë ndeshjet e fundit të Bundesligës, për ta nxitur serinë e kthimeve të Bayernit. Thomas Muller ka filluar çdo ndeshje në ligë për 11 muaj, kur nuk ishte i pezulluar. Ndërkohë, lojtarët e transferuar pak para mbylljes së afatit kalimtar të verës nuk kanë lënë shumë përshtypje. Sulmuesi i krahut, Douglas Costa, u pa si rezervist i besueshëm kur iu bashkua Bayernit nga Juventusi, por ai ka shënuar vetëm një herë në 15 ndeshje. Plani për transferimin e sulmuesit Eric Maxim Choupo-Moting - një lojtar i Paris Saint-Germainit sezonin e kaluar - ishte për ta ndihmuar Lewandowskin të pushonte më shumë, por ai ende nuk ka shënuar asnjë gol në Bundesligë. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Bouna Sarr, është lënë jashtë ekipit në ndeshjet e fundit, derisa mesfushori Marc Roca u përjashtua në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve.
Bayerni, i cili ka një epërsi prej dy pikëve në tabelë ndaj Leipzigut të vendit të dytë, luan të premten kundër Borussia Monchengladbachut, ekip që nuk ka treguar formë të mirë këtë edicion, por që ka arritur të kualifikohet në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve. \ AP