Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Tahirit i kushtuan gabimet në fillim të garës

Skitari që po përfaqëson Kosovën në Lojërat Dimërore Olimpike, Albin Tahiri, sot përfundoi garën në supersllallom.

Ai përfundoi i 57-ti në garë, por ka thënë se vendosi të rrezikonte dhe një gabim në fillim të garës i kushtoi me humbje të ritmit.

“Kam pritur më shumë, sepse vendosa të rrezikojë më shumë, mirëpo fatkeqësisht e bëra një gabim në fillim, të cilin u mundova ta përmirësojë, por e humba ritmin dhe kohën. Në fund ia dola të përfundojë edhe një garë tjetër, por që ka mundur të jetë më mirë”, ka thënë Tahiri.

Edhe trajneri i tij, Agim Pupovci, ka pritur më shumë nga paraqitja në supersllallom të madh, pasi për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik ka thënë se shtegu ka qenë i mirë por edhe konkurrenca ka qenë e fortë.

Gara e ardhshme e Albinit është më 18 shkurt në sllallom të madh, e cila për dallim nga kombinimi alpin, lëshimi dhe super sllallomi i madh, të cilat u mbajtën në qendrën skitare në Jaengson, do të mbahet në qendrën Alpensia, rreth 15 kilometra larg PyeongChangut.