“Më e mira” – boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku. Kështu është titulluar episodi i tretë i Konfederatës Evropiane të Boksit kushtuar boksieres Donjeta Sadiku. Konfederata Evropiane e Boksit ka nisur prezantimin e serisë së publikimit të protagonistëve në boks. Në serinë e tretë të publikimeve vend ka zënë boksierja Donjeta Sadiku. Donjeta për 21 minuta ka folur për fillimet, vështirësitë, sukseset dhe synimet e saj. Ajo ka treguar se me boks ka nisur të merret që nga mosha 12-vjeçare, ndërsa përkrahje të madhe ka pasur nga familja dhe trajnerja Marjola Sallauka.
“Në fillim të karrierës, kur kam nisur me boks, ka qenë shumë më vështirë për sepse njerëzit paragjykonin dhe mendonin se ky nuk është sport i femrave por unë kurrë nuk i kam dëgjuar ato fjalë dhe tani ky mendim ka filluar të ndryshojë pasi kam fituar medalje të rëndësishme për shtetin tim. Po ashtu, kam ndërruar edhe mentalitetin e shoqërisë kosovare”, ka thënë Sadiku.
Vështirësitë e kanë përcjellë Sadikun edhe kur ajo nisi të marrë pjesë në garat evropiane dhe botërore. Ajo ka thënë se problemet politike e kanë penguar të marrë pjesë në ngjarje globale.
“Kohët e fundit kam pasur vështirë që të marrë pjesë në garat evropiane apo botërore për shkak se shpesh për mua një gjë e tillë është e ndaluar, sepse jam nga Kosova dhe disa shtete nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ky problem ishte që në Indi ku nuk mu lejua pjesëmarrje në botëror, për shkak të arsyeve politike por unë kurrë nuk do të dorëzohem, pavarësisht nëse me lejojnë apo jo pasi unë do të stërvitem fort me shpresën se një ditë kjo do të ndryshojë”, është shprehur ajo.
Në fakt, sporti i parë i praktikuar nga Donjeta ishte karate. Por në fund ajo përfundoi në një sallë boksi. Bëri mirë që vendosi për boks. Ajo tashmë ka disa suksese në sportin e boksit. Ajo tregon për suksesin e parë të arritur në boks.
Edhe
Donjeta Sadiku, boksierja që po i sjell Kosovës medalje
“Gara ime e parë ishte kupa e botës në Tajvan në vitin 2015 ku e mora të argjendtën. Pastaj evropiane në Turqi në vitin 2017, ku u bëra kampione. Në vitin 2018 në Bullgari dola nënkampione evropiane. Këto tri medalje ishin në kategorinë juniore dhe kur arrita në seniore në vitin 2019 u bëra kampione ballkanike në Turqi. Në 2022 në botërorin në Stamboll mora medaljen e bronztë. Në vitin e njëjtë në Budva, gjithashtu u stolisa me medalje bronzi, ndërsa së fundmi në Bullgari dola kampione Ballkanike”, është shprehur ajo.
Krahas sporteve luftarake, Donjeta ishte e pasionuar edhe pas futbollit. I preferuari i saj ishte Cristiano Ronaldo. Por kur ajo nisi të merrej me boks nisi të pëlqente boksieri Vasiliy Lomachenko i Ukrainës. Sadiku nuk ka konkurrencë në Kosovë. Ajo detyrohet të bëj sparing me meshkuj. Për të shmangur luftërat dhe stërvitjet me meshkuj, Sadiku ka nisur të marrë pjesë rregullisht në kampe ndërkombëtare. Sadiku në vitin 2020 mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, të mbajtura në Tokio. Pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike e cilëson si një nga ngjarjet më të rëndësishme në karrierë. Tani nuk ka ëndërr vetëm pjesëmarrjen. Synimi i saj është medalja olimpike.
“Për mua ishte e rëndësishme të paraqitem në Tokio dhe tani po mundohen të kualifikohem, për Paris. Ëndrra ime dhe besoj e çdo sportiste është medalje olimpike. Është vështirë të marrësh medalje olimpike por unë po shpresoj dhe e shoh këtë si diçka të mundur. Shpresoj që prej Parisit të kthehem me medalje”, ka thënë Sadiku.
Ajo kthehet të flas edhe pak për të kaluarën. Thotë se medalja e fituar në Botëror ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte boksierja e parë që i siguroi Kosovës medalje.
Sadiku kohën më të madhe e kalon në një palestër të improvizuar në Kosovë. Ajo pret që në një të ardhme, shteti t’i ndërtoj një palestër, ku ajo dhe boksierët tjerë të Kosovës do të kenë mundësi të stërviten në kushte normale.
Edhe
Donjeta Sadiku mposhtet nga polakja Rygielska, federata thotë se u dëmtua
“Jetën time ia kam dedikuar boksit dhe stërvitem çdo ditë. Ëndrra ime është dhe mbetet medalja olimpike. Dua ta fitoj për të treguar se edhe pse vij nga një shtet i vogël, mund të arrijmë rezultate të mëdha”, ka thënë Sadiku.
Donjeta i është mirënjohës edhe presidentit të Konfederatës Evropiane të Boksit që ka përzgjedhur atë të rrëfej vështirësitë, suksesin dhe synimet.