Sport

Synimi i Abedinit: Për tre vjet të stabilizohet në ekipin e parë të Granadas

Kapiteni i Përfaqësueses U-21 të Kosovës, Eris Abedini, vlerëson se ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë me transferimin në Spanjë. Abedini të shtunën zyrtarizoi kalimin nga Lugano e Zvicrës te Granada e La Ligas spanjolle. Por ai fillimisht do të luajë për ekipin e dytë të Granadas, që garon në kategorinë e tretë spanjolle. Synimi i mesfushorit Abedini është i qartë – me paraqitje të mira të bashkohet shpejt me ekipin e parë dhe të stabilizohet te ai.

Abedini ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit edhe për dy vjet të tjerë. Ai vlerësohet prej lojtarëve më të rëndësishëm të Shpresave të Kosovës. Së fundmi kishte sakrifikuar që të bashkohej me Shpresat e Kosovës, duke pranuar karantinimin pas kthimit në Zvicër.

Abedini të dielën ka udhëtuar në Kosovë për t’u bashkuar me Shpresat për ndeshjet e këtij muaji. Më pas do të nisë “kampanjën” për të bindur te Granada spanjolle.

“Kalimi te Granada besoj se më ndihmon shumë për ngritje në karrierë. Niveli në Spanjë është shumë i lartë dhe duhet të ambientohem shpejt në futbollin spanjoll. Po ashtu, duhet ta shfrytëzoj maksimalisht këtë transferim”, ka thënë Eris Abedini të dielën për KOHËN.