Kalimi te Granada ishte vlerësuar hap i madh para për karrierën e Eris Abedinit, mesfushorit që në disa ndeshje ishte kapiten i Kosovës U21. Abedini te Shpresat e Kosovës ishte prej më të dalluarve, kurse më 3 tetor të vitit të kaluar firmosi për një edicion me Granadan. Marrëveshja ishte që 22-vjeçari fillimisht të luante me ekipin e dytë të Granadas e më pas të tentonte të bënte kalimin tek ekipi i parë i Granadas, që garon në La Ligan spanjolle.
Por, Abedini nuk ka luajtur shumë ndeshje për ekipin e dytë të Granadas në kategorinë e tretë spanjolle. Dhe, hapi drejt ekipit të parë nuk është bërë deri më tani.
Ka pak gjasë që të bëhet në fakt. Kontrata e Abedinit është e vlefshme deri në fund të qershorit. Klubi ka të drejtë të vazhdojë kontratën edhe për dy vjet tjera, ndërsa vendimi për vazhdim pritet të merret deri në fund të këtij muaji. Dhe, në kohën ndoshta vendimtare për të ardhmen e tij te Granada, Abedini po mungon për shkak të një lëndimi. Ai pret të kthehet shpejt, por mbetet të shihet nëse do të jetë mjaftueshëm për të siguruar mbetjen në klubin spanjoll.
Kur Abedini ishte grumbulluar për ndeshjen e La Ligas ndaj Real Sociedadit, më 8 nëntor, ka pasur shpresë se ai do të ftohet edhe për ndeshje tjera të kampionatit spanjoll. Por, kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Për atë ndeshje, Granadas i kanë munguar shumë lojtarë për shkak të koronavirusit dhe ishin ftuar katër lojtarë nga ekipi i dytë. Në mesin e tyre ishte edhe Abedini. Ai ka luajtur shtatë ndeshje me ekipin e dytë të Granadas. Të parën e luajti më 22 nëntor e të fundit më 17 janar. Është aktivizuar si zëvendësues.
“Ka mbi një muaj që jam lënduar. Kam pësuar dëmtim të ligamentit të gjurit në një ndeshje me ekipin e dytë. Do të kthehem pas pak ditësh. Për fat nuk është dashur t’i nënshtrohem ndonjë operimi. Kam pasur fat që nuk ishte ndonjë lëndim më i rëndë”, ka thënë Abedini ditë më parë për KOHËN. Ai po e sanon lëndimin me seanca te fizioterapeuti dhe me ushtrime fitnesi.
“Tani kam ushtrime të veçanta për këmbë në fitnes. Edhe pak ditë kthehem në fushën e blertë”, ka shtuar mesfushori qendror.
Abedini është i lindur në Zvicër dhe është zhvilluar si futbollist në këtë vend. Ka luajtur për U19 e U20 të Zvicrës para se në vitin 2019 të bashkohej me Kosovën U21. Ka një gol në gjashtë ndeshje, ndërsa në disa ndeshje mbajti shiritin e kapitenit.
Në grumbullimin e fundit me Kosovën ishte infektuar me koronavirus. Humbi një ndeshje dhe bashkimi me Granadan iu shty për pak kohë. Qëndroi i izoluar në Kosovë dhe ky ishte çmimi i pranimit të ftesës në një periudhë të ndjeshme kur jo të gjithë e bënin këtë. Ai, madje, ishte pajtuar që të izolohej edhe pas kthimit në Zvicër, që të jetë te Kosova U21.
“Ngadalë jam përshtatur me futbollin spanjoll. Por, erdhi lëndimi kur nisa të luaj pak më shumë. Gjithsesi kështu ishte e shkruar, nuk kam çka të bëj. Tani po pres të kthehem dhe të paraqitem fuqishëm”, ka shtuar Abedini.
“Ndonjëherë kam ushtruar me ekipin e parë, por nuk e di si do të bëhet lidhur me qëndrimin vetëm me ekipin e parë. E përsëris, lëndimi i ka prishur planet pak. Opsioni është për të vazhduar kontratën dhe në fund të marsit vendoset. Ndërsa unë jam jashtë fushës, kështu që nuk e di. Në klub do të më ofronin një kontratë për ekipin e dytë, por nuk ia vlen që të qëndroj më tutje me ekipin e dytë. Të shohim se çka do të ndodhë. Por, unë dua të vazhdoj vetëm me ekipin e parë”, ka theksuar Abedini.
Ai është zhvilluar te Lugano dhe disa skuadra tjera. Pos për Luganon ka luajtur edhe për Chiasson, Winterthurin e Wilin. Në Superligën e Zvicrës i ka luajtur nëntë ndeshje. Në dy edicionet e kaluara luajti në kategorinë e dytë të Zvicrës, fillimisht te Winterthuri e më pas te Wili. Te këto skuadra ishte i huazuar nga Lugano, njëjtë si te Chiasso.
Tani është në Spanjë, por me shumë mundësi Abedini duhet të kërkojë vend tjetër për të bërë hapin e madh në karrierë.