Sport

Pas periudhës së vështirë, Abedini ka plane të mëdha në karrierë

Eris Abedini në tetor të vitit 2020 bëri lëvizjen e parë jashtë Zvicrës. Kishte shpresë se lëvizja në Spanjë, përkatësisht tek ekipi i dytë i Granadas ishte hap i madh për një karrierë të madhe. Por Abedini u përball me probleme të shumta. Fillimisht u infektua me koronavirus, ndërsa pak më vonë lëndoi rëndë këmbën. Para se të lëndohej, në nëntor të vitit 2020, ish-futbollisti i Kosovës U21 ishte pjesë e ekipit të parë në ndeshjen kundër Real Sociedadit.

Por, ai nuk pati fatin të luante me ekipin e parë të Granadas. Fatin për të luajtur në nivel të lartë në Evropë mesfushori shpreson ta arrijë sërish. Pas periudhës jo të mirë te Granada, Abedini u kthye sërish në Zvicër vitin e kaluar te Chiasso, kurse së fundi është transferuar te Winterthuri. Ai pret shpejt të bëjë një lëvizje tjetër të madhe në karrierë.

“Një ditë pasi nënshkrova kontratën me Grandan erdha të luaja te Kosova U21. U infektova me COVID-19 dhe jam kthyer në fillim të muajit nëntor në Spanjë. Një muaj e gjysmë zhvillova disa ndeshje me ekipin e dytë dhe isha në bankën e rezervistëve tek ekipi parë i Grandas. Pastaj erdhi pauza në dhjetor. Ia fillova mirë në janar, por në lojë me ekipin e dytë theva gjurin. U ktheva pastaj kah fundi i prillit, por kisha vetëm edhe një muaj ose më pak kontratë dhe nuk kam mundur të kthehesha në formën më të mirë në atë kohë. Nuk arrita ta vazhdoja kontratën. Lëndimi më ka kthyer prapa dhe jam bërë shumë nervoz për këtë, por ky është futbolli”, ka thënë Abedini të mërkurën për KOHËN.

Abedini, 23-vjeçar, me Winterthurin që garon në Kategorinë e Dytë të Zvicrës ka kontratë deri në qershor të vitit 2023. Winterthuri është në rrugë të mirë për t’u kthyer në Superligën zvicerane, ndërsa edhe vetë Abedini thotë se është i kënaqur me formën e tij.

“Jam kthyer shumë mirë pas një periudhe të vështirë. Por ende nuk jam 100- përqindëshi im, por tash janë përgatitjet dhe besoj se do ta marr veten. Ekipi është shumë i mirë dhe ka synime të mëdha. Të shohim se çfarë do të ndodhë në këta gjashtë muaj. Nuk do të dorëzohem derisa të arrij aty ku synoj. Jam i kënaqur këtu, sepse ka edhe futbollistë të tjerë shqiptarë që më kanë pritur mirë. Kam luajtur edhe më herët këtu gjatë një periudhe huazimi nga Lugano dhe e njoh mirë këtë strukturë. Ta shohim si do të shkojnë gjërat”, është shprehur ai.

Si senior, Abedini karrierën e nisi te U21 e Luganos, ndërsa u huazua te Chiasso për një kohë. U kthye sërish te Lugano për t’u huazuar sërish te Chiaso, Winterthuri dhe Wili. Nga Lugano u largua në vitin 2020 për të kaluar tek ekipi dytë i Grandas, ndërsa nga viti 2021 deri në vitin 2022 ishte pjesë e Chiasos. Ai tregon edhe për stërvitjen e Christian Eriksenit. Eriksen është duke u stërvitur i vetmuar te klubi zviceran, Chiasso.

“E kam parë duke stërvitur, kam qenë aty. Ai është duke ushtruar i vetëm”, tha ai.

Ish-kapiteni i Shpresave të Kosovës ka luajtur shtatë ndeshje, ndërsa ka shënuar një gol. Para se t’i bashkohej Kosovës luajti për U19 dhe U20 të Zvicrës. Ai ka thënë se mëton të rikthehet sërish te “Dardanët”, këtë herë në ekipin A.

“Synimi im është fillimisht të stabilizohem në ndonjë klub të madh e pastaj të mendoj për kthim te Kosova”, ka thënë Abedini.