Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Supertifozi saudit është i lodhur nga udhëtimet, tani e pret Kupën e Botës në “shtëpi”

Në dy dekadat e fundit, Bader Turkistani, ka shëtitur globin për të brohoritur për Përfaqësuesen e Arabisë Saudite. Turkistani ka udhëhequr turmat me këngë që e kanë bërë atë yll të mediave sociale.

Kupa e Botës e këtij viti në Katarin fqinj, për këtë tifoz sjell ndjesinë e një gare në shtëpi. Doha është fluturim dy-orësh larg nga baza e tij në Jeddah, në bregun e Detit të Kuq.

Afërsia e bën Turkistanin të ëndërrojë për pjesëmarrje të madhe nga sauditët e tërbuar pas futbollit. Ai pret mbështetje që shpreson se mund ta ndihmojë ekipin për të avancuar nga faza grupeve për herë të parë në gati tri dekada.

“Përfaqësuesja saudite konsiderohet se po luan në tokën e saj, duke luajtur mes tifozëve të saj. Të kesh Kupën e Botës në Katar është si ta kesh në Arabinë Saudite”, tha inxhinieri 37-vjeçar. “Na ndan një kufi i thjeshtë. Ne do të jemi të pranishëm në numër shumë të madh dhe do të mbushim stadiumet me 50 mijë deri në 60 mijë tifozë”.

Me një shall të bardhë e gjelbër mbi shaminë e tij tradicionale të bardhë, Turkistani dha një pamje paraprake të disa prej këngëve që ai shpreson se do t'i shtyjnë “Skifterat e Gjelbër” drejt lavdisë.

Edhe Flamujt palestinezë valëviten në Kupën e Botës, simbolet izraelite fshihen Sport Flamujt palestinezë valëviten në Kupën e Botës, simbolet izraelite fshihen

“Kjo është jeshilja e Saudisë” këndoi tifozi në një megafon elektronik, ndërsa një mik i tij godiste një daulle të bërë nga lëkura e kafshëve. “O saudit, ne kemi ardhur”.

Tribunat e stadiumit në Jeddah ishin bosh, por ai është i sigurt se skena do të jetë krejtësisht ndryshe pasi të fillojë gara në Katar.

“50 mijë fansa do ta përsërisin këtë këngë pas meje në Katar, në vend të vetëm 5000 fansave në Rusi”, tha Turkistani. “Ky entuziazëm transmetohet te lojtarët. Shpresojmë që ne si tifozë të nxjerrim energjinë më të mirë të lojtarëve”.

Turkistani thekson se ka parë më shumë se 100 ndeshje ndërkombëtare të luajtura nga Arabia Saudite gjatë viteve, shumica e tyre të dokumentuara në një album fotografik që ai ua tregon me padurim vizitorëve. Ai drejton shoqatën e tifozëve për klubin prestigjioz saudit me bazë në Jeddah, Al-Ahly. Pos me koston e lartë, gjatë udhëtimeve të fundit për ta përcjellë Arabinë Saudite, Turkistani është përballur me barrierat gjuhësore, motin e ftohtë dhe ushqimin e huaj të panjohur.

“Në Katar, të gjitha këto gjëra do të jenë shumë të përshtatshme për ne”, tha ai.

Zyrtarët sauditë po planifikojnë 240 fluturime javore që lidhin mbretërinë me Katarin, nga gjashtë sa janë normalisht. Po ashtu po lehtësojnë udhëtimin tokësor gjatë turneut.

Në një ngjarje të mbajtur javën e kaluar, që shënonte vizitën e trofeut të Kupës së Botës në Arabinë Saudite, Ibrahim Alkassim, sekretari i përgjithshëm i federatës së futbollit, tha se pjesëmarrja saudite do të jetë aq e lartë “sa për të kaluar gjysmën e kapacitetit të stadiumit në çdo ndeshje”.

Sapo tifozët sauditë të jenë në tokën e Katarit, Turkistani do të jetë gati për ta. Ai do të angazhohet për të grumbulluar bluza bardh e zi, birra në shishe plastike, bateri dhe balona për t'i shpërndarë. Turkistani e sheh Botërorin mundësi për të shfaqur elementet unike të kulturës së tifozëve sauditë - veçanërisht këngët - që ai i konsideron “trashëgimi kulturore” dhe që i kanë siguruar rreth 280 mijë ndjekës në Twitter.

Edhe Tifozi nga Katari po synon ta thyejë rekordin botëror Sport Tifozi nga Katari po synon ta thyejë rekordin botëror

Sa për shanset e Arabisë Saudite, Turkistani është i vetëdijshëm se përfaqësuesja përballet me kundërshtarë të vështirë në grup, Argjentinën, Meksikën dhe Poloninë. Por ka besim se skuadra do të përfitojë nga ajo që ai e përshkruan si avantazh të “fushës vendëse”. Ky tifoz pret që përfaqësueset e tjera arabe - Katari mikpritës, Tunizia dhe Maroku - të përfitojnë gjithashtu.

“Tifozët sauditë dhe të Gjirit do të mbështesin ekipet arabe” tha ai. “Kjo më bën të pres që skuadrat arabe t'i befasojnë të gjithë dhe do të shkojnë larg në këtë Botëror”.