Sport

Supertifozi i Meksikës gati edhe për një Botëror

Tifozi meksikan i gatshem edhe per Boterorin 2022 ne Katar

Nga mijëra tifozë meksikanë që pritet të udhëtojnë në Katar për turneun më të madh të futbollit, vetëm njëri prej tyre mund të mburret se ka marrë pjesë në 10 kupa botërore dhe në më shumë se 450 ndeshje për përfaqësuesen e vendit të tij. Ai është Hector Chavez, i njohur më mirë si “Karamele”. Me një kapelë të zezë “charro” në kokë, i veshur me fanellën jeshile të Meksikës dhe një flamur meksikan me germat e shtetit të tij të lindjes Chihuahua të qëndisura në pjesën e përparme, “Caramelo” është bërë një pamje e njohur në çdo stadium kur përfaqësuesja luan në Meksikë dhe në mbarë botën, dhe jo vetëm për turnetë zyrtare.

“Është shumë sakrificë. Unë do të thosha se është edhe një rrugëtim shumë i gjatë për kaq shumë ndeshje që kam marrë pjesë”, tha Chavez. “Po flas për më shumë se 450 ndeshje të Meksikës”.

Përfaqësuesja meksikane, përveç turneve zyrtare, ka një kontratë me kompaninë me bazë në SHBA “Soccer United Marketing”, e cila që nga viti 2003 kërkon që ajo të luajë të paktën pesë ndeshje miqësore në tokën amerikane.

Vetëm këtë vit, mes miqësoreve dhe ndeshjeve zyrtare, Meksika ka luajtur 15 ndeshje dhe vetëm katër prej tyre ishin në Meksikë.

“Nga njëra anë të godet në marrëdhëniet familjare dhe sigurisht në xhepin tënd të ndjekësh përfaqësuesen pa humbur asgjë. Dhe të udhëtosh kudo nëpër botë nënkupton një shpenzim të madh financiar”, tha Chavez, i cili drejton një dyqan bizhuterie. “Është e lodhshme të kesh bërë këtë për më shumë se 40 vjet”.

Chavez tha se ndeshja e parë e Meksikës që mori pjesë ishte më 19 shkurt të vitit 1986, kur Meksika u përball me Bashkimin Sovjetik në kryeqytetin e vendit. Ndeshja e parë zyrtare në një kupë bote ishte po atë vit, më 3 qershor kundër Belgjikës. Aty edhe i lindi ideja për të filluar të ndjekë Meksikën në mbarë botën.

“Kam shijuar të gjithë përvojën e Meksikës ‘86 dhe atëherë thashë, 'Kupa e Botës është një festë totale. Unë do të përpiqem të shkoj te secili turne’, dhe kështu ndodhi”, tha Chavez.

Megjithëse Meksika u ndalua nga Kupa e Botës në vitin 1990 në Itali, Chavez shkoi në atë turne dhe më pas vazhdoi pelegrinazhin e tij nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1994, Francë 1998, Korenë e Jugut dhe Japoni 2002, Gjermani 2006, Afrikën e Jugut 2010, Brazil 2014 dhe Rusi 2018. Chavez studioi administrim biznesi dhe shkoi në Kupën e tij të parë botërore, sepse babai i tij i bleu biletat. Ai kujton se shkoi në Itali me një çantë shpine në supe dhe me një buxhet të kufizuar. Por më vonë hapi argjendarinë që e ndihmoi të paguante shpenzimet që nga viti 1994.

“Mbaj mend që kur hapa argjendarinë isha në një rrugë ku kishte të tjera biznese. E hapja një orë përpara dhe e mbyllja një orë më pas, punoja edhe të dielave, sepse duhej të isha një hap përpara”, tha Chavez. “E gjithë kjo ka qenë e bazuar në punë. Kjo më ka lejuar të udhëtoj kudo me ekipin kombëtar”.

Megjithëse nuk i ndjek të gjitha ndeshjet, Chavez tha se ka udhëtuar në Lojërat Olimpike të Londrës 2012 dhe Kupën e Botës U-17 të mbajtur në vitin 2005 në Peru. Meksika i fitoi të dyja.

“Më kujtohet loja dhe golat e Oribes kundër skuadrës së Neymarit dhe pashë flamurin të ngritur lart, duke kënduar himnin. E mbaj mend dhe sa herë që e kujtoj atë moment më vjen të qaj nga gëzimi”, kujton Chavez ndeshjen për medaljen e artë olimpike. “Por pa dyshim kujtimi më i mirë është kur mundëm Brazilin në Kupën e Konfederatave 1999 në stadiumin ‘Azteca’ me ata gola të mrekullueshëm nga Cuauhtemoc Blanco”.

Duke e përcjellë Meksikën ai ka përjetuar edhe disa momente të vështira, veçanërisht eliminimet në fazën e 1/8 së finales, që ka qenë arritja më e madhe për Meksikën në të gjitha kupat e botës që nga viti 1994. Prej tyre humbja nga SHBA-ja në vitin 2002 i dhemb më shumë.

“Jo aq sepse na eliminuan, por sepse armiku ynë kryesor na eliminoi”, tha Chavez. “Për vite me radhë u ndiem superiorë ndaj tyre dhe atë herë ata na poshtëruan. Ishte një ditë shumë e trishtuar për ‘Caramelon’. Nuk doja të largohesha nga hoteli për tri ditë pas kësaj”.

Në Meksikë, Chavez është i vetmi tifoz që e ndjek Përfaqësuesen në të gjitha ndeshjet. Ekziston një grup tjetër tifozësh i quajtur “Green Wave” që bën diçka të ngjashme, por anëtarët e tij udhëtojnë vetëm në turne zyrtarë nëpër botë. Historia e Chavezit është si ajo e Manuel Caceresit, i njohur si “Manolo el del bombo” ose “Manolo, bateristi i basit”. Manolo ka ndjekur Përfaqësuesen e Spanjës që nga Kupa e Botës 1982.

“Do të thosha se shoku im Manolo është konkurrenti më i afërt. Ai është një mik i mirë, ne jemi takuar dhe kemi biseduar në telefon”, tha Chavez, i cili përmendi se tifozi brazilian Clovis Acosta Fernandes - i cili njihej si “Gaucho Da Copa” që vdiq në vitin 2015 - gjithashtu e frymëzoi.

Federata e Futbollit e Meksikës e njeh mirë Chavezin. Edhe pse i paguan vetë udhëtimet, zakonisht qëndron në hotelet ku qëndron Përfaqësuesja. Së fundmi ai ka shpërndarë një video në llogarinë e tij zyrtare në Instagram, në të cilën përpara se të futet në ashensor e pyet trajnerin e Meksikës, Gerardo Martinon, nëse planifikon të përfshijë në skuadër ish-sulmuesin Javier Hernandez. Llogaria e tij është plot me imazhe në hotele pranë lojtarëve meksikanë jo vetëm të listës aktuale, por edhe nga kupat e botës në të kaluarën.

“Nuk është se e konsideroj veten tifozi numër 1, por njerëzit dhe mediat më bëjnë të ditur”, tha Chavez. “Caramelo e pranon këtë njohje si përgjegjësi, sepse ndihem si një ambasador për tifozët meksikanë”.