Kishte vetëm një mënyrë për të shpjeguar se sa i mirë ishte Youssoufa Moukoko kur ishte 12-vjeçar.
Disa që e panë atë duke luajtur, konstatuan se sulmuesi thjeshtë ka gënjyer për moshën, shkruan Daily Mail të hënën, transmeton Koha.net.
Është një stereotip i keq që i atribuohet futbollistëve me prejardhje nga Afrika, mirëpo u bë më reale kur vet trajneri i Moukokos te U-23 e Borussia Dortmundit tha se diçka nuk është në rregull.
“Me Youssoufan, vetëm mund të imagjinosh se mosha e tij është hamendësuar. Ndoshta në realitet është një apo dy vjet më i vjetër. Por, sigurisht se nuk është 17-vjeçar siç po raportohet. Për të thuhet kjo është shumë e vështirë. Ai nuk ka asnjë faj, djaloshi nuk po mashtron dhe nuk po bën asgjë gabim”, kishte thënë Timo Preus.
Kjo deklaratë shkaktoi tensione brenda Dortmundit.
Koordinatori i të rinjëve Lars Ricken ishte i qartë: “Ai është 12-vjeçar. Ky është fakt dhe nuk ka asnjë dyshim”.
Moukoko, talenti i Dortmundit që pritet të hyjë në histori të Bundesligës
Moukoko shpërtheu në skenë duke shënuar dy herë te U-17 e Dortmundit në ndeshjen kundër U-17 të Schalkes kur ishte vetëm 12-vjeçar. Në stinorin vijues ai realizoi 40 gola.
Më pas vazhdoi të thyente rekorde, duke shënuar 46 gola një edicion më vonë. Ai realizoi gjashtë “hat-trick” dhe në tri ndeshje realizoi nga katër gola. Gjitha këto brenda një stinori.
Kjo është edhe arsyeja që kompania e famshme për pajisje sportive, Nike, firmosi kontratë të vlefshme 10 milionë euro me Moukokon kur ai ishte 14-vjeçar.
Ai mori një milion euro paradhënie, duke u bërë milioner në kohën kur shumica e moshatarëve të tij ende mësojnë algjebrën bazë.
Një vit para kësaj, ai rregullisht po përcillej nga Barcelona. Vëzhguesit e Barcelonës e shikuan në ndeshjen gysmëfinale të U-17 kundër Bayer Leverkusenit.
Sa më i vjetër që po bëhet, aq më shumë në vëmendje po bie Moukoko. Tash 15-vjeçar, ai po vazhdon të bëjë bujë.
Në fund të muajit të kaluar, Moukoko u ftua nga U-19 e Gjermanisë, ndonëse është tre vjet më i ri se shumica e lojtarëve që luajnë në këtë grupmoshë.
Ai u përfshi në skuadër për ndeshjet kundër Uellsit, Austrisë e Serbisë për fund të marsit. Ishte një shtytje e madhe për Dortmundin.
Sipas rregullave të futbollit gjerman, një lojtar duhet të jetë 16-vjeçar për të luajtur në Bundesligë, dhe të mbushë 17 vjet më 1 janar të atij stinori.
Kjo nënkupton se Moukoko nuk do të mund të luajë me skuadrën e parë deri në stinorin 2021-22, duke marrë parasysh se është lindur në nëntor të vitit 2004.
Edhe
Moukoko thyen dy rekorde me moshën e re
Mirëpo, ftesa te U-19 e Gjermanisë do të kualifikonte atë që të luajë në Bundesligë.
Pas 35 golave në 26 ndeshje këtë stinor dhe 90 golave në 56 ndeshje zyrtare me U-17 e Dortmundit, trajneri i skuadrës së parë të Dortmundit, Lucien Favre mendon të avancojë futbollistin e ri.
“Ne kemi një plan me të, por nuk mund të them saktësisht se kur do të na bashkohet ai. Ndoshta në mars, por ende duhet të presim të shohim disa gjëra”, kishte thënë Favre më herët.
Një nga ato gjëra, sigurisht, është koronavirusi që ka shkaktuar kaos nëpër botë.
Edhe seleksionuesi i përfaqësueses A të Gjermanisë, Joachim Loew është duke e përcjellë futbollistin e ri.
“Unë kam folur me trajnerin e U-19 të Dortmundit, Michael Skibbe tash e sa kohë. Të gjithë të përfshirët janë këshilluar që të presin dhe të lënë futbollistin të zhvillohet në qetësi”, ka thënë Loew.
Ricken së fundi ka folur për mundësinë që t’i bashkohet skuadrës së parë të Dortmundit.
“Duhet t’i japim Youssoufas mundësi që të luajë në Bundesligë kur të mbushë 16 vjet. Në fund të këtij stinori, pas tri vjetëve në skuadrat U-17 dhe U-19, ai do të kishte shënuar 120 apo 130 gola në Bundesligë të të rinjëve. Kështu që normal se ka kuptim të ngrihet një nivel më lartë. Ne nuk duam që të bëjmë barrën mbi shpatullat e tij më të rëndë”, ka thënë Ricken. “Ai është një talent i jashtëzakonshëm rreth të cilit është bërë bujë nga një moshë shumë e re dhe ende po bëhet”.
Ai mund të vazhdoj me rekorde. Nuri Sahin mban rekordin si lojtari më i ri që ka luajtur në Bundesligë. Debutoi me 16 vjet e 335 ditë. Moukoko ka mjaft kohë për të thyer këtë rekord.
Por, gjëja e vetme është se Erling Haaland po luan aq mirë sa që mundësitë për të luajtur për Moukokon do të jenë të vogla për momentin. Mirëpo, nuk ka dyshime se është rruga për të arritur atje, duke e parë se si Dortmundi ka menaxhuar situatën me Haalandin, Jadon Sanchon e Gio Reynan.
Edhe
Moukoko mund të debutojë në Bundesligë në nëntor
Tash më nuk ka fjalë se 15-vjeçari ka gënjyer për moshën. Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFB) ka hulumtuar rastin dhe pas një serie takimesh me Dortmundin është bindur se Moukoko ka atë moshë që i figuron.
Të gjithë më në fund e kanë kuptuar se ai thjeshtë është tepër i mirë.