Talenti i jashtëzakonshëm, Youssoufa Moukoko, në fundjavë mund të bëhet debutuesi më i ri në historinë e Bundesligës. Borussia Dortmundi ka lënë të kuptohet se sulmuesi i ri ka gjasa të debutojë me ekipin e parë, kanë shkruar mediumet e huaja të enjten.
Moukoko mbush 16 vjet të premten. Nëse ai luan në udhëtim ndaj Hertha Berlinit të shtunën në mbrëmje, do të vendosë një rekord të ri në Bundesligë. Ai tashmë ka vendosur rekorde të golave në futbollin e të rinjve në Gjermani. Adoleshenti i lindur në Kamerun tashmë ka luajtur për ekipin U20 të Gjermanisë dhe ka mundësi të mëdha që të shijojë debutimin e tij në Bundesligë.
“Kam lexuar atë që shkruajnë mediat, por nuk i bëj presion vetes”, tha Moukoko për faqen zyrtare të Dortmundit në një intervistë të rrallë gjatë së cilës klubi la të kuptohet se ai mund të paraqitet në Berlin.
Edhe nëse debutimi i tij në ligë shtyhet për javët e ardhshme, Moukoko nuk shqetësohet aspak pasi me vetëbesim të madh thotë se “e di që debutimin tim do ta bëjë herët apo vonë këtë sezon”.
Nuri Sahin, rekordi i të cilit është nën kërcënim, dëshiron që Moukoko të bëjë debutimin e tij në Bundesligë, sepse thotë se gjithçka do të jetë më lehtë për të në ndeshjet e tjera. Sahin, tani 32 vjeç, kishte 16 vjet e 335 ditë kur bëri debutimin e tij te Dortmundi në vitin 2005. Moukoko ka kohë të mjaftueshme për të thyer rekordin e tij. Ai gjithashtu mund të bëjë debutimin në Ligën e Kampionëve këtë vjeshtë për të thyer rekordin e Celestine Babayaros, i cili kishte 16 vjet e 87 ditë kur luajti për Anderlechtin në edicionin 1994/95.
Moukoko tashmë është stërvitur me ekipin e parë të Dortmundit falë golave të shumta që po i shënon me ekipin e të rinjve. Pavarësisht se shpesh përballet me kundërshtarë katër vjet më të mëdhenj se ai, 15-vjeçari i fortë është kapiten i ekipit U19 të Dortmundit dhe ka shënuar 13 gola në vetëm katër ndeshje deri më tani këtë sezon. Statistikat e tij janë pjesë e një totali tronditës prej 47 golave dhe dhjetë asistimeve në vetëm 25 ndeshje për ekipin U19 të Dortmundit përgjatë dy sezoneve. Dortmundi po bën çmos për ta mbrojtur atë - të gjitha kërkesat për intervistë refuzohen - por emri i tij tashmë është i njohur mirë në futbollin gjerman.
“Youssoufa Moukoko ka një talent që nuk e has kaq shpesh”, komentoi trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew. Moukoko tashmë ka më shumë se 700 mijë ndjekës në “Instagram” dhe ka një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë e njohur të veshmbathjeve “Nike”. Ai lindi në Yaounde, Kamerun, dhe u transferua në Hamburg, qyteti i babait të tij, në vitin 2014, ku filloi të luante për skuadrën e vogël të St Paulit. Në vitin 2016 ai kaloi në akademinë e të rinjve të Dortmundit, ku filloi të thyejë rekorde të shënimit të golave, duke shkaktuar dyshime të pabazuara mbi moshën e tij.
Edhe
Moukoko mund të debutojë në Bundesligë në nëntor
Si 13-vjeçar, në fillim të sezonit 2017/18, ai shënoi 40 gola në 28 ndeshje për ekipin U17 të Dortmundit përfshirë edhe golin e fitores në finalen e plejofit kundër Bayern Munchenit. Ai vazhdoi me formën fantastike edhe në sezonin 2018/19 me 50 gola në 28 ndeshje, duke përfshirë këtu 46 gola në kampionat për të vendosur një rekord të ri në nivelin U17. Sezonin e kaluar ai kaloi në U19 të Dortmundit pak para se të mbushë 15-vjet dhe hodhi poshtë dyshimet për aftësinë e tij në nivelin më të lartë me gjashtë gola në debutimin e tij mahnitës në fitoren 9:2 kundër Wuppertalit. Edicionin e fundit Moukoko e mbylli me 38 gola në 28 ndeshje dhe menjëherë nisën bisedat për debutimin e tij në Bundesligë.
“Ne të gjithë do të bënim mirë të shikonim zhvillimin e Youssoufas, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm. Është një talent shumë i madh dhe presim shumë prej tij”, tha me optimizëm drejtori sportiv i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Joti Chatzialexiou.
Megjithatë, talenti tashmë po tregon pjekuri përtej viteve të tij. Muajin e kaluar Moukoko shënoi “hat-trick” ndërsa skuadra U19 e Dortmundit mposhti Schalken (3:2). Shfaqja e tij e shkëlqyeshme mbeti në hije nga abuzimi racist që i bënë mbështetësit e ekipit vendas në Gelsenkirchen. Schalke i kërkoi falje Dortmundit dhe Moukokos, i cili u përgjigj me gol në ndeshjen tjetër që e festoi duke u ulur në njërin gju për t'u bashkuar me protestën “Black Lives Matter”.