Grasshopper – Servette dhe St. Gallen – Basel janë ndeshjet që hapin edicionin e ri në Superligën e Zvicrës në futboll. Këto dy ndeshje zhvillohen të shtunën prej orës 18:00.
Superliga helvetike është rritur në 12 skuadra, në krahasim me dhjetë sa ishin deri më tani. Rrjedhimisht është rritur edhe numri i futbollistëve shqiptarë dhe i atyre me prejardhje nga Kosova. Sipas të dhënave zyrtare në faqen e Superligës së Zvicrës, janë plot 37 futbollistë të tillë në klubet elitare zvicerane. Ka gjasa të mëdha që numri të rritet gjatë rrjedhës së kampionatit. Transferime mund të bëhen ende, ndërsa edhe promovimet gjatë kampionatit nuk janë të rralla në Zvicër.
Në klubet zvicerane ka futbollistë shqiptarë të të gjitha pozitave. Ka portierë, mbrojtës qendre, mbrojtës të djathtë e të majtë, mesfushorë, sulmues krahu e qendërsulmues. Janë të paktën dy kapitenë.
Vetëm njëra prej 12 skuadrave nuk e ka asnjë futbollist shqiptar në përbërje. Bëhet fjalë për Lausanne-Sport.
Më së shumti ka te Zuerichu – shtatë. Te kjo skuadër janë dy mbrojtësit e Kosovës, Fidan Aliti e Mirlind Kryeziu, si dhe mbrojtësi tjetër cilësor, Lindrit Kamberi. Mesfusha e Zuerichut pritet të udhëhiqet nga Bledian Krasniqi, që së fundi luajti me U21 të Zvicrës. Donis Avdijaj është kthyer nga huazimi dhe shpreson të stabilizohet. Gjithnjë e më i rëndësishëm po bëhet Selmin Hoxha, që me prejardhje është nga Restelica e Dragashit. Rastin e pret edhe talenti i sulmit, Labinot Bajrami.
“Bazuar në përgatitjet e deritashme do të jem i suksesshëm te Zuerichu. Kam pasur një pjesë të dytë të kampionatit shumë të mirë. Tani jam kthyer në Zuerich, po e jap më të mirën dhe përfundimisht dua të luaj”, ka thënë sulmuesi Avdijaj, që ishte i huazuar te Hartbergu në Austri.
Nga pesë shqiptarë apo me rrënjë nga Kosova, në përbërje i kanë Lugano dhe skuadra e promovuar për herë të parë, Stade-Lausanne-Ouchy. Te Lugano janë portieri i deritashëm i Zvicrës U21, Amir Shaipi, reprezentuesi i Zvicrës, Uran Bislimi, mbrojtësi Kreshnik Hajrizi, që është paraqitur te Kosova, si dhe Albian Hajdari e Shkëlqim Vladi. Hajdari ka luajtur për U21 të Zvicrës, ndërsa mund të luajë ende për këtë grupmoshë. Shkëlqim Vladi ishte ftuar nga Kosova, por nuk u grumbullua për shkak të lëndimit.
Te Stade-Lausanne-Ouchy janë Lavdrim Hajrullahu, Mërgim Qarri, Alban Ajdini, Liridon Mulaj dhe Valon Hamdiu. Vetëm ky i fundit u transferua këtë verë. Të tjerët e kanë udhëhequr skuadrën drejt kalimit në Superligë, për herë të parë.
“Jemi shumë shqiptarë në ekip dhe kalojmë shumë mirë mes vete. Rrimë gjithmonë bashkë dhe kjo na forcon më shumë”, kishte thënë Hajrullahu për KOHËN, javë më parë. Ai është kapiten i skuadrës.
Te Grasshopperi janë katër shqiptarë, sa edhe te Luzerni.
Florian Hoxha, Amir Abrashi, Meritan Shabani e Dion Kacuri janë evidentuar si lojtarë të Grasshopperit. Ndërkohë te Luzerni janë Denis Simani, Ismajl Beka, Ardon Jashari e Kemal Ademi. Jashari ishte kapiten deri të enjten. Por, pasi ka kërkuar të transferohet te Baseli, iu mor shiriti i kapitenit. Megjithatë 20-vjeçari ende është pjesë e Luzernit.
Te St. Galleni dhe te Winterthuri janë nga tre shqiptarë. St. Galleni ka kthyer Betim Fazlijin, që në skuadër ka gjetur Albert Vallçin e Albin Krasniqin.
Granit Lekaj, Samir Ramizi e Jozef Pukaj janë te Winterthuri. Lekaj është kapiten i skuadrës.
Ekipi kampion, Young Boysi, ka mbetur me Kastriot Imerin e Donat Rrudhanin, që shpresojnë të bëhen edhe më të rëndësishëm. Edhe Baseli i ka dy shqiptarë, Taulant Xhakën dhe talentin Leon Avdullahu.
Portieri i Kosovës U21, Leo Besson, është te Servette, ndërsa Lirik Vishi është pjesë e Yverdonit.
Superliga e Zvicrës është kampionati evropian me numrin bindshëm më të madh të futbollistëve shqiptarë.
Winterthur – Luzern, Young Boys – Lausanne-Sport, Zuerich – Yverdon, Stade-Lausanne-Ouchy – Lugano janë ndeshjet e tjera të xhiros së parë.
Futbollistët shqiptarë dhe me prejardhje nga Kosova që janë pjesë e klubeve të Superligës zvicerane
Basel: Taulant Xhaka, Leon Avdullahu
Grasshopper: Florian Hoxha, Amir Abrashi, Meritan Shabani, Dion Kacuri
Lausanne-Sport: /
Lugano: Amir Shaipi, Kreshnik Hajrizi, Albian Hajdari, Uran Bislimi, Shkëlqim Vladi
Luzerni: Denis Simani, Ismajl Beka, Ardon Jashari, Kemal Ademi
Servette: Leo Besson
St. Gallen: Albert Vallçi, Betim Fazliji, Albin Krasniqi
Stade-Lausanne-Ouchy: Lavdrim Hajrullahu, Mërgim Qarri, Alban Ajdini, Liridon Mulaj, Valon Hamdiu
Winterthur: Jozef Pukaj, Granit Lekaj, Samir Ramizi
Young Boys: Kastriot Imeri, Donat Rrudhani
Yverdon: Lirik Vishi
Zuerich: Lindrit Kamberi, Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Selmin Hoxha, Bledian Krasniqi, Donis Avdijaj, Labinot Bajrami