Sport

Superliga e Kosovës me tre selektorë

Si rrallë ndonjë ligë tjetër, Superliga e Kosovës në basketboll i ka tre selektorë të ndryshëm pjesë të saj. Trajneri i Pejës, Rami Hadar, e drejton Përfaqësuesen e Kosovës. Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, e drejton Përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkohë Alek Joncevski është trajner i Bashkimit dhe selektor i Maqedonisë së Veriut.

Hadar, Beqiragiq dhe Joncevski aktualisht janë të angazhuar me përfaqësueset që i drejtojnë. Derisa Kosova do të paraqitet në fazën e parë të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2027, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë në kualifikimet e rregullta për “Eurobasket 2025”. Pra, janë në nivel më të lartë se Kosova.

Bosnja është në grup me Qipron, Francën e Kroacinë. Të premten luan në Nikozi ndaj Qipros, ndërsa më 26 shkurt e pret Francën.

Maqedonia e Veriut është në Grupin H së bashku me Lituaninë. Poloninë e Estoninë. Të premten Maqedonia e Veriut takohet me Estoninë në Shkup. Të dielën luan në udhëtim ndaj Polonisë.

“Më gëzon fakti që lojtarët e ftuar janë në formë të mirë. Jam i sigurt që lojtarët e grumbulluar do të japin maksimumin dhe që me fitore do të nisim kualifikimet për Eurobasket”, ka thënë Beqiragiq.

Ai udhëheq Bosnjë-Hercegovinën nga viti 2022 dhe vlerësohet lart. Beqiragiq në Kosovë ka punuar edhe te Peja dhe te Ylli. Javën e kaluar e udhëhoqi Trepçën drejt Kupës së Kosovës.

Image

Ndërkohë maqedonasi Joncevski në Kosovë ka punuar te Trepça më parë. Vlerësohet se ka sjellë frymë të re te Bashkimi i Prizrenit. Ai është në krye të Maqedonisë së Veriut prej vitit 2021. Joncevski në Përfaqësuese e ka ftuar Lejson Zeqirin e Bashkimit. Rrallë basketbollistët shqiptarë e fitojnë rastin te Maqedonia e Veriut.

“Ndeshjen e parë e kemi në shtëpi dhe është ndeshja më e rëndësishme. Shumëçka do të varet nga ndeshja e parë”, ka thënë Joncevski.

Kosova ishte ndalur në parakualifikimet për “Eurobasket 2025". Në raundin e parë të parakualifikimeve mbeti prapa Danimarkës e Norvegjisë. Rast tjetër kishte në raundin e tretë parakualifikues. Mbeti prapa Danimarkës, ndërsa ishte më lart në tabelë se Zvicra. Por pozita e dytë nuk i mjaftoi për avancim.