“Jasir Asani me një tjetër gol spektakolar”, ishte postimi i fundit i UEFA-s në rrjetet sociale për sulmuesin e krahut të Shqipërisë. Ka pyetur edhe nëse është goli më i mirë i kësaj xhiroje. Ia ka bashkuar edhe videon e supergolit që Asani e shënoi ndaj Çekisë në fitoren 3:0 të enjten mbrëma në “Air Albania” në Tiranë. Dy golat e tjerë i shënoi sulmuesi Taulant Seferi.
Të tilla lëvdata, UEFA për Asanin ka dhënë edhe më herët.
“Goli i jashtëzakonshëm i Asanit herën e fundit”, ishte një tjetër postim i UEFA-s në Facebook, ku kishte kujtuar golin kundër Polonisë. Edhe atë ndeshje Shqipëria e kishte fituar 2:0 në muajin shtator.
Dhe me supergolat e Asanit, Shqipëria ka hapur rrugën për në “Euro 2024” që organizohet në Gjermani.
“Më i lumtur jam për fitoren. Normal, jam i lumtur edhe për golin, nuk diskutohet. Unë mendoj se të dyja fitoret kanë qenë shumë të bukura sepse kemi fituar ndaj dy kombëtareve shumë të forta dhe nuk mund t’i ndaj”, ka thënë Asani 28-vjeçar për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Asani në fakt ka edhe një tjetër gol të shënuar në gjashtë ndeshjet e para kualifikuese të Evropianit të vitit të ardhshëm.
Kishte shënuar supergol edhe kundër Moldavisë në fitoren 2:0. Ai debutoi kundër Polonisë në disfatën 1:0 në ndeshjen e parë të Grupit E, më 27 mars të këtij viti.
Pas asaj ndeshjeje, Asani ka qenë i padiskutueshëm në formacionin titullar të përzgjedhësit Sylvinho.
Shpejtë ka fituar edhe zemrat e tifozëve. Por edhe ai i vlerëson lartë përkrahësit e “kuqezinjve”.
“Jemi të lumtur sepse i kemi tifozët më të mirë në botë. Besoj se duhet t’i bëjmë të lumtur dhe krenar dhe të shkojmë në Evropian”, ka thënë Asani.
Shqipëria është shumë afër që ta përsëritë suksesin e vitit 2016 kur ishte kualifikuar në Evropianin e organizuar në Francë.
Deri në fund të këtij cikli kualifikues, do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje në Grupin E, në të cilën prinë me 13 pikë në gjashtë ndeshje.
Polonia është e dyta me nëntë pikë në gjashtë ndeshje po ashtu.
Në vendin e tretë është Republika e Çekisë që ka tetë pikë, aq sa ka edhe Moldavia. Që të dyja kanë pesë ndeshje të luajtura.
Në vendin e fundit, Ishujt Faroe kanë një pikë.
“Unë mendoj se të gjitha ndeshjet duhet vlerësuar, pa marrë parasysh se me kë luajmë, është miqësore apo jo. Kushdo që luan do ta jap maksimumin sepse me të vërtetë kemi një ekip shumë të madh me lojtarë shumë të mirë dhe besoj se më të mirën do ta japin edhe në ndeshjen me Bullgarinë”, është shprehur Asani.
Ndeshja me Bullgarinë është miqësore dhe do të luhet, po ashtu, në “Air Albania” në Tiranë, më 17 tetor.
Ciklin kualifikues, Shqipëria e mbyll në nëntor. Më 17 nëntor udhëton te Moldavia, ndërsa më 20 nëntor i pret Ishujt Faroe.
Shqipëria me përzgjedhësin brazilian Sylvinho në këtë cikël kualifikues ka treguar në përgjithësi formë të lartë.
Me meritë i prinë grupit pasi ka realizuar 11 gola, ndërsa ka pranuar vetëm tri gjithsej. Ka katër fitore, një barazim e një disfatë.