Futbollisti i Shqipërisë, Jasir Asani ka marrë përgëzime nga portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny.
Asani shënoi supergol në pjesën e parë të ndeshjes Shqipëri – Poloni. Shqipëria fitoi 2:0 ndaj Polonisë në Tiranë të dielën.
“Fusha nuk na la ta bëjmë lojën tonë, pasi nuk ishte si duhet. Por nga momenti i golit, ekipi luajti futboll të mirë dhe u tregoi të gjithëve se dimë të luajmë futboll të bukur. Në momentin që pash lëvizjen e Szczesnyt, mbylla sytë dhe gjuajta. Nuk e dija që do të shkonte topi në atë pozitë.
Szczesny më përgëzoi për golin. Më tha se ishte një gol i bukur. Jam i lumtur që shënova gol. Kualifikimi është dëshirë e gjithë lojtarëve, trajnerëve dhe shikuesve. Meritat për golin, flas për vete, i ka Sylvinho. Edhe stafi, por Sylvinho më ka dhënë mbështete”, ka thënë Asani. Asani vlerësoi golin e shënuar ndaj polakëve, por nuk e ka dalluar nga të tjerët. “Të gjitha golat janë të bukur. Nuk mund të them që goli im është më i bukuri. Edhe goli i Bajramit ka qenë shumë i mirë sepse na dha një pikë në Çeki. Nuk mund t’i veçoj sepse të gjitha golat janë të bukur”, ka theksuar Asani.