Në njërin prej mëngjeseve në fund të vitit 1992, në qendrën e vjetër stërvitore të Ajaxit, Bryan Roy kishte shkuar për të liruar dollapin e tij dhe të përshëndetej me bashkëlojtarët.
Pas katër vjetëve tek Ajaxi, Roy po transferohej në Itali te skuadra e Foggias dhe ishte njëri prej transferimeve të para të agjentit Mino Raiola në botën e futbollit. Një natë më herët, në ndeshjen ndërmjet Ajaxit dhe Feyenoordit, një tifoz po mbante një pano në duar: "Bryan bedankt" (faleminderit Bryan).
Jo gjithmonë, tifozët e futbollit kanë shprehur falënderime të tilla kur prej klubit të tyre janë larguar klientët e Raiolas. Këtë verë, varet se si shkojnë gjërat, tifozët e Manchester Unitedit nuk do ta falënderojnë mesfushorin Paul Pogba nëse vendos të largohet, por do ta fyejnë Raiolan që po e largon idhullin e tyre nga "Old Traffordi", shkruan sot Koha Ditore.
Raiola tashmë është në negociata me Real Madridin dhe Juventusin, ekipe që janë të gatshme të shpenzojnë mbi 100 milionë euro për shërbimet e Pogbas. Mesfushori francez javën e shkuar në një intervistë pranoi se ka ardhur koha për ta kërkuar një sfidë të re, duke paralajmëruar largimin nga Manchester Unitedi.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)