Sport

Rikthimi te Juventusi, shpresë për ringjalljen e karrierës së Pogbas

(Goal.com) – Në korrik të vitit 2016, Massimiliano Allegri lëshoi një paralajmërim që qartë i kushtohej Paul Pogbas.

“Çdokush që e ka mundësinë të largohet nga Juventusi duhet t’i marrë gjërat parasysh me kujdes, sepse, për momentin, Juve është në mesin e katër ekipeve më të mira të Evropës”, kishte theksuar trajneri i “bianconerëve”.

Për fat të keq ky paralajmërim nuk u përfill.

Edhe pse në atë kohë menaxheri Mino Raiola kishte insistuar se klienti i tij do të largohej nga Juventusi vetëm në kohën e duhur, për “projektin e duhur” dhe për “ekipin e duhur”, Pogba iu bashkua Manchester Unitedit që drejtohej nga Jose Mourinho.

Raiola dhe Pogba nuk do të mund të gabonin më shumë për lëvizjen më të rëndësishme në karrierën e mesfushorit.

Sigurisht se u konsiderua e ndjeshme. Pogba në fakt nuk kishte dashur të largohej nga Unitedi e t’i bashkohej Juventusit në vitin 2012. Ai e ndiente veten pjesë të Unitedit. Ai donte që të linte gjurmë në “Old Trafford”.

Francezi ishte i “shokuar” për mënyrën se si kolapsuan bisedimet për rinovimin e kontratës, me Raiolën dhe atëherë trajnerin e Unitedit, Sir Alex Ferguson, që u përplasën gjatë takimit vendimtar për të ardhmen e mesfushorit.

Raiola më vonë në një dokumentar në “Amazon Prime” kishte treguar se si i është dukur qesharake oferta e Unitedit, teksa shtoi se i ka thënë Fergusonit se “për këto para, as qeni im i vogël nuk do të ecte në barin e qendrës stërvitore!”.

Pensionimi i skocezit e lehtësoi rikthimin e Pogbas katër vjet më vonë, por u përcoll me dështim.

Rënia e Unitedit në periudhën pas Fergusonit

Unitedi ishte klub në rrëmujë të plotë në vitin 2016, duke u përballur me rënie edhe tre vjet pas pensionimit të Fergusonit.

Kjo skuadër nuk e kishte më trajner një prej më të mirëve në historinë e futbollit. Unitedi e kishte Ed Woodwardin.

Dhe me dëshirën për ta kthyer klubin në rrugën e fitoreve, ai iu drejtua Mourinhos.

Partneriteti i Mourinhos dhe i Pogbas nuk do të zgjaste shumë dhe ishte e arsyeshme që ai të shkarkohej pasi e kishte lënë në bankën rezervë francezin për ndeshjen kundër Liverpoolit.

Woodwardi vazhdonte të bënte gabime të njëpasnjëshme në rekrutim, e një prej tyre ishte Pogba, i cili ishte 23-vjeçar në kohën e rikthimit të tij në “Old Trafford”. Do të duhej të ishte në majën e karrierës.

Ai është kthyer sërish te Juve si 29-vjeçar, me shpresën për ta përmirësuar kohën e humbur. Problemi është se tani klubi nuk është i njëjti të cilin Pogba e kishte lënë para gjashtë vjetësh.

Juventusi ka rënë në nivelin e Manchester Unitedit

Juventusi nuk është më në mesin e katër skuadrave më të mira në Evropë. Torinezët ndoshta kanë arritur në finale të Ligës së Kampionëve pas largimit të Pogbas, por nuk kanë shkuar as në çerekfinale më pas.

Rënia e kësaj skuadre më së miri përshkruhet nga fakti se është turpëruar në një të tetën e finales në tri edicionet e fundit, nga skuadra me buxhet dukshëm më të vogël: Lyoni, Porto dhe Villarreali.

Por nuk është gabim të thuhet se largimi i Pogbas ka qenë ngjarje e madhe në dobësimin gradual, pasi në të kaluarën forca më e madhe e Juves ka qenë mesfusha.

Kur francezi kishte arritur në Torino si futbollist i lirë nga Unitedi në vitin 2012, ai ishte i rrethuar nga Andrea Pirlo, Arturo Vidal dhe Claudio Marchisio.

Dhe përderisa Antonio Conte e kishte bindur Pogban të refuzonte ofertën e Arsenalit e Chelseat sepse do t’i jepte më shumë hapësirë në ekipin e parë te Juve, u mendua se loja e tinejxherit do të menaxhohej me kujdes, të paktën gjatë sezonit të tij të parë.

Megjithatë, Pogba luajti rregullisht deri në fund të sezonit 2012-13. Dhuntitë e tij natyrale fizike, teknika e jashtëzakonshme dhe potenciali i pafund ishin të qarta që nga seanca e parë stërvitore, me disa prej emrave më të mëdhenj të asaj kohe në botën e futbollit si pjesë e Juves.

“Ai ishte i ri, por mund ta shihje se ishte i veçantë”, kishte thënë Pirlo për “The Telegraph”.

“Ne ishim duke ecur në dhomat e zhveshjes pas seancës stërvitore dhe qartë më kujtohet Gianluigi Buffon që vinte drejt meje duke qeshur dhe ai më tha: ‘Me të vërtetë ata e lanë këtë lojtar të largohet si futbollist i lirë?!’”.

Nxjerrja e më të mirës nga Pogba

Unitedi përfundoi duke e blerë atë për shumë rekorde prej 89 milionë funtesh, për shkak të progresit që Pogba e kishte bërë te Juventusi, fillimisht nën drejtimin e Contes dhe më pas me Allegrin.

Conte madje e ndryshoi edhe planin e tij taktik vetëm për të bërë hapësirë për futbollistin e talentuar në krahun e majtë të mesfushës me tre lojtarë – një lëvizje për të cilën Pogba kishte thënë që ishte vendimtare që ai të zinte vend edhe në skuadrën e Francës.

Allegri, nga ana tjetër, e shtyu Pogban edhe më përpara në sezonin e tij të fundit në Torino dhe u mundua të nxjerrë më të mirën nga kualitetet e tij kreative – pasi Juventusi ishte më i ngadalshëm dhe nisi të kishte vështirësi në vizion dhe kontroll të lojës. Kjo ndodhi pas largimit të Pirlos te New Yorku pas finales së humbur në Ligën e Kampionëve nga Barcelona.

Jo shumë kohë pas finales së Berlinit, Pogbas iu ofrua numri 10 në fanellë (i njëjti numër i është ofruar edhe në rikthimin e tij).

Ishte një lëvizje e qëllimshme nga ana e Juves, një paraqitje e vlerësimit simbolik, një përpjekje publike për ta kënaqur atë, pasi spekulimet për një transferim të tij larg Torinos ishin në rritje (falë kontributit jo të vogël nga Raiola).

Shpresa ishte që Pogba do të shijonte përgjegjësinë dhe do t’i përkushtohej klubit, për t’i lejuar Beppe Marotas dhe anëtarëve të tjerë të klubit ta ndërtonin një mesfushë përreth tij.

Por ai u largua drejt Unitedit. Ishte një transferim që kishte kuptim financiar për Pogban dhe Juven.

Juves i mungoi Pogba, aq sa Pogbas i mungoi Juve

Juventusi i kaloi gjashtë sezonet e fundit duke tentuar – dhe duke dështuar – të gjente dikë që do të ishte në gjendje të sillte fuqinë e njëjtë, aftësinë dhe ndoshta më të rëndësishëm, rrezikun për gol nga mesfusha.

Sergej Milinkoviq-Saviq do të ishte zëvendësues i duhur por ai asnjëherë nuk arriti në Torino për arsye të ndryshme, nga ngurrimi i Lazios për ta shitur deri te problemet financiare të Juves pas shfaqjes së pandemisë.

Juve përfitoi 105 milionë euro nga shitja e Pogbas e në atë kohë shefi ekzekutiv, Beppe Marotta, solli një lojtar të shtrenjtë. Juve mori sulmuesin argjentinas Gonzalo Higuain nga Napoli për 90 milionë euro – transferimi kontrovers që funksionoi vetëm për një sezon.

Nuk është për t’u habitur që Juventusi mori një tjetër sulmues të jashtëzakonshëm një vit më pas, Cristiano Ronaldon kësaj here, ndërsa Marotta u largua nga klubi pak kohë më vonë.

Kështu nisi zbehja e transferimeve të bëra nga Juve. Pasuesi i Marottas, ish-krahu i djathtë i tij, Fabio Paratici nisi punën në vitin 2021.

Përderisa Pogba një kohë luante me Pirlon, Vidalin dhe Marchision në Torino, tani vinin lojtarë si Arthur, Adrien Rabiot, Weston McKennie, Denis Zakaria dhe Manuel Locatelli.

Rreth të ngjashëm Pogba gjeti në “Old Trafford”.

Natyrisht, fakti që Scott McTominay dhe Fred përfaqësuan mesfushë më të besueshme në dyshe sesa opsioni tjetër ku do të përfshihej edhe Pogba, tregon për periudhën e tij të dytë të kaluar në Manchester.

“Shporru, Pogba!”

Pogba arriti që të hynte në ekipin më të mirë të sezonit në Premier League vetëm një herë në gjashtë vjet, atë 2018-19, kur realizoi 13 gola dhe nëntë asistime.

Përveç ndeshjeve spektakolare në kohën pas Mourinhos ndërmjet dhjetorit dhe shkurtit, Pogba dëshpëroi nën drejtimin e pasuesit të portugezit, Ole Gunnar Solskjaerit dhe vazhdoi njësoj edhe me Ralf Rangnickun që u bë trajner i përkohshëm.

Për pjesën më të madhe, Pogba nuk shfaqi shumë dhe ishte burim i frustrimit në sezonin e tij të fundit tek Unitedi.

“Shporru, Pogba!”, bërtisnin disa tifozë në Stretford teksa ai largohej nga fusha mes vërshëllimave.

Tifozët e Unitedit janë të lumtur që ai është larguar, ndërsa te Juve janë gëzuar që e kanë sërish në ekip.

Ndoshta kjo më së miri e përmbledh natyrën polarizuese të Pogbas si lojtar dhe person.

Mos u kthe më prapa

Vlen të përmendet se asnjëherë nuk është vënë në dyshim karakteri i tij, zgjedhjet e veshjeve dhe aktivitetet jashtë fushës gjatë kohës te Juve.

Ish-portieri Gigi Buffon e përshkroi atë si lojtar të përkushtuar dhe bashkëlojtar të mirë. Një herë e kishte këshilluar të riun Pogba që të mos mërzitej për kritikat e jashtme: “Ti i rregullon flokët dhe vishesh si do ti: ajo që bën në fushë ka më shumë rëndësi”.

Problemi tek Unitedi, qartë, është se Pogba nuk shfaqte më të mirën, të paktën jo në mënyrë konstante.

E ndoshta nuk ka qenë gjithmonë faji i tij - problemet e Unitedit janë shumë më të thella sesa dështimet e tij.

Pogba dhe Raiola ndoshta kanë kontribuuar në kaosin konstant në “Old Trafford”, por edhe ai ishte viktimë.

Ndoshta ai ka mësuar nga eksperienca. Ndoshta e kanë përgatitur për atë që e pret te Juve. Ndoshta ribashkimi te Juve do ta shfaqë më të mirën nga francezi.

Kësaj here presioni është i tëri mbi Pogban. Nuk do të ketë lojtarë të klasit botëror përreth tij në mesfushë. Dhe nuk do të ketë as legjenda tek të cilët do të mbështetej.

Pirlo dhe Buffoni janë larguar dhe kapiteni për një kohë të gjatë, Giorgio Chiellini, vetëm sa është larguar, bashkë me shokun e Pogbas, Paulo Dybalan.

Edhe ai që supozohet lider i ri i skuadrës, Matthijs de Ligt, është afër largimit. Mbrojtësi pritet t’i bashkohet Chelseat apo Bayern Munichut.

Nga shitja e De Ligtit skuadra do të fitonte financiarisht për ta përforcuar ekipin – Nicolo Zaniolo dhe Kalidou Koulibaly janë në mesin e të pëlqyerve – por Juve është qartë në periudhë tranzicioni. Të paktën kështu tregon sezoni i fundit kur përfundoi në vendin e katërt.

Ky ekip ka pasur tre trajnerë të ndryshëm në tri sezonet e fundit dhe dyshimet mbesin nëse Allegri me lojën e tij është në fakt njeriu i duhur për ta kthyer lavdinë e “Zonjës së Vjetër”.

Në Dushan Vllahoviqin ka besim të madh, ndërsa rikthimi i Federico Chiesas nga lëndimi do t’i jepte dimension tjetër fazës së sulmit.

Për siç qëndrojnë punët, kjo nuk është skuadër e fortë e Juves. Afrimi i Angel Di Marias vetëm po i mbush disa zbrazëtira.

Dhe çështja ka qenë se Pogba në të vërtetë ka shkëlqyer vetëm në skuadra të forta (në nivel klubesh me Juventusin dhe në nivel përfaqësuesesh me Francën). Nuk ka turp në këtë gjë, natyrisht. Sepse është më e lehtë të shkëlqesh në skuadra më të forta.

Lojtarët vërtetë të mëdhenj mund t’i bartin mbi supet e veta skuadrat të vetëm dhe pikërisht këtë do ta kërkojë Allegri nga Pogba në kampanjën që po vjen.

Ka frikë, marrë parasysh faktin se si ai ka luajtur tek Unitedi, se nuk do të mund ta kryejë detyrën që i kërkohet, të paktën jo në Ligën e Kampionëve. Jo me këtë ekip.

Pas kohës aspak të mirë në Manchester, është e lehtë të kuptohet pse Pogba ka vendosur të kthehet në Torino, aty ku ka qenë më i lumturi, brenda dhe jashtë fushës.

Por gjashtë vjet nga transferimi në “Old Trafford”, është lehtë të dyshohet se edhe një herë tjetër Pogba e ka zgjedhur projektin e gabuar, në kohë të gabuar.