Sulmuesi veteran, Junior Moraes, është kthyer në Brazil për t'iu bashkuar Corinthiansit, por ai pranon se mendja e tij është larg sportit. 34-vjeçari Moraes, i cili mori nënshtetësinë ukrainase tre vjet më parë, ka frikë për miqtë, kolegët dhe shokët e tij të skuadrës pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Moraes luajti në Ukrainë për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, duke shënuar dhjetëra gola për skuadrat Metalurg Donetsk, Dynamo Kyiv dhe së fundmi Shakhtar Donetskun. Mësoi gjuhën, luajti 11 ndeshje për përfaqësuesen e Ukrainës dhe planifikoi të vendosej atje pas karrierës së tij profesionale. Tani ai ka dyshime serioze për një të ardhme të mundshme në Ukrainë.
“Është ende shumë e vështirë për mua të flas për këtë. Nuk mund ta harroj për sa kohë që lufta vazhdon”, tha Moraes i përlotur gjatë një konference për shtyp të mërkurën pas stërvitjeve me Corinthiansin në Sao Paulo. “Unë mbetem i lidhur me njerëzit atje. Unë flas me njerëz që janë ende atje çdo ditë, ata kanë nevojë për një mbështetje për të nxjerrë familjet e tyre jashtë Ukrainës. Nuk mund të buzëqesh në një mënyrë që do të doja. Unë mendoj se do ta bëj këtë vetëm pasi të përfundojë kjo luftë”.
Pushtimi rus i vendit të adoptuar të Moraesit në muajin shkurt e detyroi atë dhe miliona të tjerë të iknin. Ai u largua nga Ukraina më 27 shkurt me pesë anëtarët e mbetur të një grupi prej 40 të huajsh, kryesisht brazilianë, që ai ndihmoi në organizimin e tyre në një hotel në Kiev të shndërruar në bunker.
Të gjithë ata i shpëtuan luftës, shumica përmes kufirit rumun dhe moldav. Gruaja dhe dy fëmijët e Moraes kishin qenë në Brazil, ku ai kaloi një pjesë të madhe të vitit të kaluar duke u rikuperuar nga një dëmtim në gju që e mbajti atë jashtë Kampionatit të fundit Evropian. Sulmuesi pati sezonet e tij më të mira me Shakhtarin, të cilit iu bashkua në vitin 2018. Lojtari i lindur në Brazil fitoi dy tituj kampioni rresht, në të dy rastet edhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit. Ai luajti 106 ndeshje për ekipin dhe shënoi 62 gola. Marrëveshja e tij me Corinthians ishte e mundur vetëm pasi FIFA hapi një dritare të shkurtër transferimi për lojtarët me bazë në Ukrainë, në mënyrë që ata të vazhdojnë të luajnë diku tjetër. Liga e Ukrainës është pezulluar. Një nga shokët e rinj të skuadrës së sulmuesit, mesfushori Renato Augusto, gjithashtu kishte lot në sy në një konferencë shtypi javën e kaluar kur u pyet për përpjekjet e Moraesit në Ukrainë.
“Ky është një njeri i madh. Shumë miq që ishin me të në Ukrainë më thonë se sa shumë bëri ai për të ndihmuar të tjerët. Kjo është shumë përtej futbollit”, tha Augusto, duke shtuar se shumë të huaj që përpiqeshin të largoheshin nga Ukraina nuk ishin vetëm lojtarë të skuadrave të divizionit të lartë.
Moraes ka ndihmuar edhe lojtarët e divizionit të dytë të Ukrainës, futbollit të femrave dhe futsallit.
“Shumë prej tyre po shkonin atje për të gjetur një sfidë të re, për të pasur mundësi të luanin më shumë”, tha Moraes. “Numri i brazilianëve të vendosur atje, për shembull, u trefishua vitin e kaluar”.
Sulmuesi, si shumë lojtarë të tjerë të përfaqësueses ukrainase në të kaluarën dhe të tashmen, ka bërë donacione për qeverinë e vendit në përpjekjet e saj për luftë. Mediat braziliane raportuan se Moraes ka dhënë të paktën 55.000 dollarë. I pyetur se çfarë pret për të ardhmen e tij dhe të Ukrainës, Moraes tha: “E vetmja shpresë që kanë ukrainasit është që kjo luftë të ndalet. Shumë janë larguar për të qëndruar të sigurt. Dhe të tjerët janë vetëm në bunkerë, vetëm duke shpresuar që kjo luftë të përfundojë”.