Sulmuesi kongolez i Stuttgartit, Silas Wamangituka ka luajtur me identitet të rremë, njoftoi të martën klubi i Bundesligës. Emri i vërtetë i Wamangitukas është Silas Katompa Mvumpa dhe ai ka lindur më 6 tetor të vitit 1998 në Kinshasa, dhe jo një vit më vonë siç pretendohet në dokumentet e tij. “Sulmuesi Silas Wamangituka kohët e fundit i bëri të ditur klubit se ai kishte qenë viktimë e manipulimit nga ish-agjenti i tij dhe se Wamangituka nuk është emri i tij i vërtetë”, thuhet në njoftimin e Stuttgartit. “Me mbështetjen e Stuttgartit dhe një agjenti të ri, Silas ka punuar intensivisht në pastrimin e situatës dhe më në fund mori dokumentacionin zyrtar përkatës nga Republika Demokratike e Kongos disa ditë më parë”.
Wamangituka, i cili shënoi 13 gola në 27 ndeshje sezonin e kaluar për të ndihmuar Stuttgartin që të përfundoj në mesin e tabelës, pati një provë te skuadra e Anderlechtit në vitin 2017 dhe ai pretendoi se ishte nën presion për të lëvizur në Paris nga ish-përfaqësuesi i tij. Ai i bashkua ekipit Paris FC që bën gara në kategorinë e dytë të Francës përpara se të transferohet te Stuttgarti në vitin 2019.
“Gjatë viteve të fundit, unë vazhdimisht jetoja me frikë dhe gjithashtu isha shumë i shqetësuar për familjen time në Kongo”, tha ai. “Ishte një hap i vështirë për mua për ta bërë publike historinë time dhe unë kurrë nuk do të kisha guximin ta bëja këtë nëse Stuttgarti, ekipi im nuk do të ishte si shtëpi e dytë për mua dhe një vend i sigurt”.
Stuttgarti tha se vazhdimisht ka qenë në kontakt me ligën gjermane dhe federatën e futbollit të vendir për të sqaruar situatën.
“Falë përpjekjeve të tij të konsiderueshme për të pastruar situatën, Silas tani ka një pasaportë të vlefshme kongoleze me detajet e tij të sakta personale. Është në interes të Silasit dhe Stuttgartit të sigurojnë që situata të trajtohet si duhet tash e tutje”, shkruhej në njoftimin e klubit gjerman.