Sport

Sulmohen zyrtarët e Union Berlinit në prag të ndeshjes me Feyenoordin

Presidenti i klubit gjerman të futbollit, Union Berlin ishte në mesin e një grupi zyrtarësh të ekipit që u sulmuan në Holandë para ndeshjes kundër Feyenoordit në Ligën e Konferencës, me një person që kishte nevojë për trajtim spitalor.

Policia e Roterdamit tha të enjten se një 25-vjeçar vendas u arrestua pasi një grup njerëzish hodhën karrige dhe objekte të tjera. Zyrtarët e Unionit Berlinit, përfshirë presidentin Dirk Zingler dhe një anëtar të bordit, u sulmuan në një bar në Roterdam të mërkurën mbrëma.

“Fatmirësisht nuk ka pasur lëndime serioze. Askush nuk llogarit që diçka e tillë të ndodhë. Në fund të fundit, grupi ishte rreth një e treta me gra dhe njerëz të moshuar ishin gjithashtu atje”, tha zëdhënësi i klubit të Berlinit, Christian Arbeit.

Arbeit tha se personi i plagosur është larguar tashmë nga spitali. Feyenoordi e dënoi sulmin dhe i kërkoi falje Union Berlinit. Dueli mes Feyenoordit dhe Union Berlinit, zhvillohet sot prej orës 18:45 dhe i takon Grupit E të Ligës së Konferencës.