Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Struga në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë Veriore

Tri skuadra shqiptare ishin të pranishme në çerekfinale të Kupës në Maqedoninë e Veriut, por vetëm njëra nga to arriti të kalojë tutje për në gjysmëfinale.

Struga Trim&Lum është skuadra e vetme shqiptare në këtë edicion që ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës, pasi mposhti Shkëndijën e Tetovës. Ndërkohë, Shkupi u eliminua nga Makedonija GP.

Struga fitoi në Tetovë ndaj Shkëndijës pas ekzekutimit të penalltive me rezultatin 4:3. Tairi, Galevski, Cvetanoski dhe Cake ishin të saktë për struganët nga pika e bardhë ndërsa dështoi Kocoski. Te Shkëndija shënuan Krivak, Dita, Neziri, teksa nuk realizuan Guri dhe Nafiu.

Në fakt, të gjitha ndeshjet çerekfinale që u zhvilluan të mërkurën u vendosën në penallti. Shkupi humbi 4:1 nga Makedonija, ndërsa në gjysmëfinale shkoi edhe Sileksi pasi mposhti Bregalnican me rezultatin 5:4. Koha e rregullt përfundoi 1:1.

Dueli mes Pelisterit dhe Vardarit do të luhet më 15 dhjetor. U shty për shkak të fushës së rënduar.