Në Federatën e Mundjes së Shqipërisë (FMSH) pranojnë se u është dashur të marrin leje nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë për t’u stërvitur në palestër. Mundja është një nga sportet që ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Ministria e Shëndetësie për të zhvilluar aktivitete në palestra, si masë parandaluese ndaj pandemisë së koronavirusit.
Por, presidenti i FMSH-së, Sahit Prizeni, thotë se kanë bërë detyrën e tyre patriotike.
Stërvitjet e përbashkëta të Shqipërisë dhe Kosovës po mbahen që një javë në Parkun Olimpik, në palestrën e mundjes, ndërsa ato do të vazhdojnë edhe një javë.
Prizreni, që njëherësh është edhe trajner, thotë se grumbullimi nuk është vetëm për të mirën e ekipit kuqezi të mundjes, por edhe për atë të Kosovës.
“Na duhet leja por ne po bëjmë detyrën tonë si sportist që mund të quhet ndryshe edhe si detyrë patriotike”, ka thënë Prizreni të dielën për televizionin “Top Channel”.
Pjesë e kampit përgatitor është edhe Egzon Shala. Shala është kualifikuar në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që për shkak të koronavirusit janë shtyrë për këtë verë.
Në fakt, Shala kishte përfunduar në vend të shtatë në Botërorin e mbajtur në Kazakistan vitin e kaluar, ku gjashtë të parët u kualifikuan në “Tokio 2020”. Por, pasi dy nga gjashtë të parët janë kapur me doping, Shala ka marrë ftesë duke u ngritur si i pesti në Botëror. Shala garon në kategorinë deri 125 kilogramë në stil të lirë.
Kosovën në Lojërat Olimpike pritet ta përfaqësojnë me normë edhe xhudistët Distria Krasniqi (48 kg), Majlinda Kelmendi (52 kg), Nora Gjakova (57 kg), Loriana Kuka (78 kg) dhe Akil Gjakova (73 kg).
Shala deri në vitin 2017 ka përfaqësuar Shqipërinë, por ai në Olimpiadë do ta përfaqësoj Kosovën. Bashkë me Egzonin është edhe vëllai i tij, Edoni. Egzoni i ka 80 ditë përgatitje të mbuluara nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa Edoni 20 ditë.
“Që nga viti 2011 kam përfaqësuar Shqipërinë por tani duhet të përfaqësoj Kosovën. Në fakt në Olimpiadë unë do të jem për të dyja vendet se i përfaqësoj të gjithë shqiptarët”, ka thënë Shala.
Ndërkohë trajneri dhe babai i mundësve Shala, Sylejmani, ka thënë se është thjesht një stërvitje e kombëtares shqiptare.
“Për mua këtu kanë ndryshuar vetëm librezat e shteteve pasi ne jemi një”, ka thënë Sylejman Shala.