Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Starti i ngadaltë i Ramosit te PSG-ja

Fillimi i ngadaltë i jetës së qendërmbrojtësit spanjoll, Sergio Ramos, në Paris vazhdoi edhe në ndeshjen e fundit të skuadrës së Paris Saint-Germainit, në të cilën ekipi i trajnerit Mauricio Pochettino luajti 1:1 të dielën mbrëma kundër Lyonit në kuadër të Ligue 1. Thilo Kehrer shënoi golin e barazimit që doli të ishte i rëndësishëm për PSG-në në duelin që e pati në udhëtim te skuadra e Lyonit. Mirëpo, ish-qendërmbrojtësi i Real Madridit, Ramos, ishte i detyruar që këtë takim ta shikojë nga banka e rezervistëve për të vazhduar me startin e ngadaltë të karrierës së tij te PSG-ja. Ramos iu bashkua ekipit francez para fillimit të këtij edicioni si lojtar i lirë, pasi nuk e vazhdoi kontratën me Realin, por kohën më të madhe të sezonit 2021/22 e ka kaluar jashtë fushës. Ai ka qenë i lënduar dhe pas kthimit të shkurtër me një paraqitje në kampionatin francez, Ramos mungoi në tri ndeshje të tjera për shkak të problemeve me muskujt. Që nga ajo kohë, Ramos ka pasur vetëm 41 minuta lojë kundër Lorientit për të regjistruar tri paraqitje në total deri më tani, por trajneri Pochettino duket se po preferon dyshen Marquinhos dhe Presnel Kimpembe në qendër të mbrojtjes. Pasi nuk u aktivizua fare ndaj Lyonit, nuk dihet nëse Ramosi do të ketë minutazhë në ndeshjet e tjera të këtij edicioni. E shpresa për këtë nuk i ka dhënë as trajneri Pochettino, i cili ka zbuluar se konkurrenca është shumë e fortë në ekipin e tij për një vend titullari, sidomos në repartin e mbrojtjes. Bazuar në këtë, Ramos po del të jetë opsioni i tretë në mbrojtje i trajnerit argjentinas.

“Ramosi është në gjendje të mirë, por ishte vendimi im që të mos e aktivizoja fare në ndeshjen kundër Lyonit. Ne luajmë me katër mbrojtës dhe mund të them se konkurrenca është shumë e madhe. Unë shpresoj që Ramosi do të mund të luajë në ndeshjet e tjera që na presin. Mirëpo, vendimi im tani për tani, është që të luaj me Marquinhosin e Kimpemben në qendër të mbrojtjes. Ka shumë konkurrencë”, ka thënë trajneri i PSG-së, Pochettino.

Ramos, 35-vjeçar, nuk ka folur për situatën e tij te PSG-ja, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2023. Megjithatë, mediumet në Spanjë kanë raportuar se spanjolli po e mendon largimin nga PSG-ja për shkak se aspak nuk është i kënaqur. Thuhet se Ramos nuk ka menduar se do të jetë rezervist tek ekipi francez kur vendosi t’i bashkohet para fillimit të këtij edicioni.

“Kjo nuk ishte ajo që Ramos kishte në mendje kur bëri lëvizjen e tij te PSG-ja, dhe nuk është ajo çfarë PSG-ja do të ketë pasur në mendje kur e transferoi atë. Ajo që dihet është se gjendja fizike do të jetë çelësi i Ramosit për ta fituar vendin e titullarit këtë edicion në ekip. Mirëpo, Ramos nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë në formën e tij fizike për më shumë se 18 muaj”, ka shkruar e përditshmja “AS”.

Pas 20 xhirove të zhvilluara në kampionatin francez, skuadra e PSG-së prin në tabelë me 47 pikë të mbledhura, nëntë më shumë se Nice që zë vendin e dytë.