Sport

Starti i fuqishëm i Malishevës - pesë fitore rresht për pozitën e parë

Skuadra e Malishevës e ka nisur furishëm stinorin pranveror në Grupin A të Ligës së Parë. Në pesë ndeshje sa i ka zhvilluar deri më tani, ka shënuar po aq fitore. Këto rezultate pozitive e kanë dërguar në pozitën e parë ekipin malishevas, që po synon inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll për herë të parë në histori. Në katër prej pesë ndeshjeve, Malisheva nuk ka pranuar fare gol. Gjithsej ka shënuar 15 gola dhe ka pranuar vetëm dy. Së bashku me Dukagjinin e kanë mbrojtjen më të mirë me nga 14 gola të pranuar. Ndërkaq me 36 gola, malishevasit kanë sulmin më të mirë.

Malishevën në stinorin pranveror po e drejton trajneri Arsim Thaqi. Ai thotë për KOHËN se grupi homogjen ka sjellë pesë fitore të njëpasnjëshme. Veçon dy fitoret kundër Lirisë së Prizrenit.

“Fillimisht mendoj se te Malisheva kam gjetur lojtarë të rinj dhe shumë të talentuar, kurse lojtarët e tjerë që i janë bashkuar ekipit në këtë sezon, janë përshtatur shumë mirë. Kemi krijuar një grup mjaft homogjen e si rezultat i kësaj kanë ardhur edhe rezultatet. Liga është shumë e fortë, ka ekipe shumë cilësore. Nuk ka qenë e lehtë t’i bëjmë pesë fitore, duke e ditur se veç dy përballjet e fundit me Lirinë kanë qenë shumë të vështira. Liria ka një ekip mjaft cilësor me lojtarë që kanë shumë përvojë edhe në Superligën e Kosovës”, tha Thaqi .

Ai shtoi se pozita e parë në renditje është e merituar. Thaqi mendon se fitorja në ndeshjen kundër Dukagjinit, që do të luhet të shtunën, do t’i jepte qetësi skuadrës që drejton.

“Sa i përket pozitës në tabelë mendoj se e mbajmë me plot meritë. Se a do ta mbajmë këtë pozitë varet nga ndeshja e së shtunës që e zhvillojmë në Malishevë, përballë Dukagjinit. Fitorja në këtë ndeshje na krijon një lloj qetësie në vazhdim të kampionatit, duke e llogaritur se do të jemi plus pesë pikë prej ndjekësit kryesor, Dukagjinit. Jemi në rrugë të mirë drejt Superligës. Në këtë fillim të fazës së tretë kemi ekipe cilësore që duhet të përballemi, siç janë Dukagjini, Istogu dhe A&N. Nëse këto ndeshje shkojnë si duhet, Malisheva për herë të parë në historinë e saj do të jetë pjesë e Superligës”, u shpreh trajneri Thaqi, i cili përveç Dukagjinit si rivale i sheh edhe dy skuadra të tjera.

“Është e kuptueshme që duelet direkte do të vendosin për Superligë, sidomos mendoj ndeshja e së shtunës në Malishevë kundër Dukagjinit, por edhe dy ndeshjet e tjera me Istogun dhe A&N”.

Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu, mendon se puna e madhe që kanë bërë po shpërblehet me rezultatet pozitive. Ai flet edhe për fazën mbrojtëse së cilës i prin.

“Kemi punuar mjaft mirë gjatë këtyre pesë ndeshjeve që të kemi rezultate pozitive. Kur punon me vullnet dhe dëshirë, arrihet gjithçka dhe jemi duke u paraqitur mjaft mirë. Besoj në grupin dhe punën që po bëjnë i gjithë stafi për inkuadrimin në Superligë. Sa i përket mbrojtjes, kemi mbrojtjen më të mirë në Ligën e Parë dhe kjo është e qartë sepse të dy golat që i kemi pranuar ishin nga penalltia dhe jo nga rrjedha e lojës. Statistikat flasin vetë”, tha Kryeziu.

Ai theksoi se Malishevën e dallon puna dhe dëshira e madhe për të arritur Superligën e Kosovës, për herë të parë.

“Po, nëse vazhdojmë kështu mundemi shumë lehtë që të inkuadrohemi në Superligë, sepse jemi në rrugën dhe formën e duhur. Skuadrën tonë i dallon puna mjaft e madhe, dëshira, vullneti dhe kemi nisur fuqishëm ashtu si kemi pasur synimet prej fillimit të garave. Puna po shpërblehet dhe po bëjmë një ëndërr të madhe për të gjithë qytetarët e Malishevës”, deklaroi Kryeziu.

Pas 19 xhirove të luajtura, Malisheva renditet në pozitën e parë me 41 pikë. Ka dy pikë më shumë se Dukagjini që është i dyti dhe tetë më shumë se Istogu që është i treti.