Sport

Stadiumi Kombëtar tashmë është bërë çështje për hetuesinë

“Kompania e ka marrë gjithë shumën. 1 milion e 440 mijë euro janë marrë për një punë që nuk është kryer, për një punë që nuk është pranuar asnjëherë në Ministri. Prandaj me të ardhur në këtë ministri, unë e kam detektuar këtë çështje dhe ua kam përcjellë menjëherë krimeve ekonomike dhe prokurorisë dhe tashmë stadiumi nacional është duke u hetuar në organet e hetuesisë dhe të ndjekjes, dhe unë besoj se kjo duhet të ndriçohet”, ka thënë ministri Hajrulla Çeku për KOHËN

Ende pa e ngulur gozhdën e parë për ndërtimin e tij, Stadiumi Kombëtar është bërë çështje për hetuesinë. Stadiumi Kombëtar është një projekt gjigant, që është prezantuar për herë të parë në mars të vitit 2014. Ai vazhdon të mbetet vetëm në letër, por po “tret” paratë e buxhetit të shtetit.

Është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që të martën në një intervistë për KOHËN ka thënë se MKRS-ja nuk e ka studimin e fizibilitetit. Dhe për këtë punë, sipas Çekut, janë ndarë mbi 1.4 milionë euro.

Ministri Çeku ka konfirmuar që rasti është dërguar tashmë në krime ekonomike dhe në prokurori.

“Kompania e ka marrë gjithë shumën. 1 milion e 440 mijë euro janë marrë për një punë që nuk është kryer, për një punë që nuk është pranuar asnjëherë në ministri. Prandaj me të ardhur në këtë ministri unë e kam detektuar këtë çështje dhe ua kam përcjellë menjëherë krimeve ekonomike dhe prokurorisë dhe tashmë stadiumi nacional është duke u hetuar në organet e hetuesisë dhe të ndjekjes, dhe unë besoj se kjo duhet të ndriçohet”, ka thënë Çeku në intervistën e parë të dhënë për ndonjë medium prejse mori detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Tani unë nuk di të bëj punën e hetuesit ose prokurorit, por përfundimisht aty MKRS-ja i ka dhënë mjetet për një shërbim që nuk e ka marrë. Nuk është kryer puna dhe nuk është marrë asnjëherë si punë e kryer”, është shprehur Çeku.

Ministri Çeku ka theksuar se personat përgjegjës që kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duhet ta marrin dënimin e merituar.

“Është një zinxhir i tërë i zyrtarëve përgjegjës për këtë rast që duhet tani të japin llogari për atë çështje dhe ne jemi shumë të interesuar që rastet si ky i studimit të fizibilitetit dhe të tjerat të shkojnë aty ku e kanë vendin dhe të trajtohen sipas procedurës hetimore dhe të gjithë ata që e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit ta marrin edhe dënimin e merituar”.

Çeku ka thënë se ka edhe raste të tjera, të cilat shpejt do t’i përcjellin në organet e hetuesisë. Bëhet fjalë për projekte të sportit.

Sipas ministrit Çeku, pa siguruar sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, menaxhimin e parasë publike, nuk mund të vazhdohet tutje në zhvillimin e sportit. Ministri ka theksuar se nëse të gjithë pajtohen që stadiumi kombëtar të ndërtohet, do të nisin procedurat. Pra ai lë të kuptohet se nuk është plotësisht i sigurt se stadiumi do të ndërtohet.

“Por nëse ka edhe mendime alternative të tipit që të rritet kapaciteti në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, mund të ndërtohen facilitete të tjera përcjellëse më të vogla me të cilat ne e zhvillojmë talentin sportiv në Kosovë ose i nxisim disa sporte apo federata që kanë mungesë elementare të mjeteve të punës, atëherë edhe ajo mund të jetë një rrugë. Ne kemi thënë që jemi të interesuar për stadiumin nacional. Ky diskutim duhet të ndodhë, duhet të jetë sa më demokratik, duhet të ketë sa më shumë mendime, jo vetëm nga komuniteti i futbollit dhe bashkërisht ta marrim një vendim”, thotë ministri Çeku.

Image

Dyshime edhe për projektin e stadiumit “Adem Jashari”

Ministri Çeku nuk ka komentuar nëse stadiumi do të ndërtohet në Koreticë apo do të kthehet në Bërnicë, nëse paraprakisht vendoset për ndërtimin e tij. Por ka theksuar se diskutimi dhe debati se ku duhet ndërtohet i kanë lënë përshtypjen se nuk e kanë seriozisht jetësimin e projektit. Ai ka shtuar se një projekt gjigant duhet të jetë edhe përfitues. Ka bërë thirrje të mos dëgjohen politikanët mbi preferencat e tyre, pasi insiston se nuk e kanë seriozisht e aq më tepër të drejtën. Sipas tij, është e drejtë e ekspertëve të fushës.

“Nëse një projekt mund të presë edhe disa vite, pasi kemi alternativa, sepse e kemi plotësuar kushtin e një stadiumi me kriteret e kategorisë së katërt të UEFA-s, atëherë mund të mos ngutemi për atë projekt dhe të fokusohemi në projektet e tjera. Por nëse ka të tillë që argumentojnë që investimi në futboll është më i madh, sepse është industri e madhe, mund të kthejë ekonomikisht për shtetin dhe na përfaqëson shumë mirë ndërkombëtarisht, atëherë dakord jam, e zgjedhim atë drejtim”, ka shtuar ministri Çeku.

Dyshime për mënyrën e shpenzimit të parasë, ministri Çeku thotë se ka edhe për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari”.

“E di që ka shumë telash në atë projekt. Ka edhe dyshime në lidhje me mënyrën e shpenzimit të parasë dhe përdorimin e mjeteve të dedikuara për atë çështje, por, siç e thashë, aty ku kemi dyshime, ne do ta përcjellim në organet e hetuesisë. Nuk kam shumë informata të plota për këtë projekt, por jem duke analizuar çdo projekt. Është duke u shikuar, analizuar dhe vlerësuar dhe çdo dyshim do ta përcjellim tek organet e ndjekjes”, ka thënë Çeku.

I pari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka theksuar se nuk janë të interesuar për investime që më pas dështojnë dhe shndërrohen në gërmadha jofunksionale.

“Ne me prioritet i kemi projektet që kanë nisur dhe janë në vazhdim e sipër. Pra, ne duhet t'i mbyllim ato para se të nisim projekte të reja, sepse kështu duke vepruar në të kaluarën janë nisur shumë projekte paralelisht, por nuk ka pasur buxhet për asnjërën për ta mbyllur. Kemi trashëguar një listë të gjatë që ka një numër të madh të punishteve në krejt Kosovën, ku punët nisin dhe me vite të tëra nuk kryhen. Pse ka ndodhur kjo, sepse ka pasur planifikim të dobët financiar ose dikush në emër të përfitimit elektoral politik e nis një projekt të madh që kushton ndoshta me miliona, por në buxhet nuk ka aq para dhe gjithçka bllokohet dhe operatorët ndalin punët kur nuk paguhen për punën nga buxheti i shtetit. Nuk ka kuptim të bëjmë kode të reja dhe të themi se jemi duke punuar diçka. Për projekte të reja i ftoj të gjithë që ta nisim një dialog dhe të shohim cilat janë nevojat për infrastrukturë të re sportive në Kosovë. Ka federata që nuk kanë facilitete dhe për ta ushtruar sportin e tyre u duhet të bëjnë shumë kilometra”, thotë ai.

Me prioritet sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike

Ai ka thënë se federatat do të mbështeten edhe me fonde të tjera, përveç memorandumeve. Këtë vit thotë se me prioritet do të jenë federatat që kanë siguruar apo që janë në ndjekje të normës olimpike për Lojërat që mbahen nga 23 korriku deri më 8 gusht në Tokio.

“Buxheti i vitit 2019 ka qenë buxhet i vitit ekonomik në rritje, ndërsa buxheti i krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit dhe nuk jemi dëmtuar vetëm ne, por janë dëmtuar të gjitha ministritë e Kosovës. Është thirrje për solidaritet, pasi ne kemi shtyrë limitet financiare për të siguruar sa më shumë buxhet për federatat, por me memorandume nuk përfundon gjithçka. Ne do të kemi rishikim të buxhetit në mes të këtij viti dhe do të kemi edhe rishikime të linjave brenda Ministrisë për të siguruar që në pjesën e dytë të vitit ne do të vazhdojmë me mbështetje për federatat me prioritet ato që janë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike, pasi është viti i Lojërave Olimpike dhe ato federata që kanë normë olimpike, ku për momentin kemi xhudon dhe mundjen, ndërsa për normë janë duke luftuar edhe karate e boksi. Prandaj ajo që kanë nënshkruar federata tash, nuk është buxheti final i tyre”, ka theksuar Çeku.

Çeku ka kritikuar punën e ish-ministrave, duke thënë se nuk ka gjetur asnjë plan apo strategji për nisje të projekteve infrastrukturore në Kosovë.

“Nuk kam gjetur asnjë plan, objektiv, strategji, planifikim qoftë si koncept, mbi të cilin janë nisur krejt këto projekte infrastrukturore në Kosovë. Askush nuk po di të më tregojë se në bazë të cilit plan janë nisur këto projekte. Kush ka vendosur të ndërtohen kaq shumë palestra, stadiume, pishina dhe të tjera. Pse këto, ku është analiza, vlerësimi, strategjia dhe ku do të mbërrijmë me këto ndërtime. Puna e parë e jona duhet të jetë kjo. Duhet të kemi një orientim. Kur të investojmë në sport, duhet ta dimë pse po investojmë. Pra, duhet të investojmë me strategji dhe mençuri”, ka thënë Çeku.

Ministri ka theksuar se do të shohin nëse do të ketë keqpërdorim të Ligjit për sponsorizim nga federatat dhe klubet, ndërsa ka shtuar se është i interesuar të bashkëpunojë ngushtë për luftimin e dukurive negative dhe dhunës në sport. Ai ka treguar se akuzat e klubit të futbollit Ballkani janë marrë për bazë nga prokuroria dhe rasti është nën hetim.