Sport

Stadiumi i Vllaznisë në gjendje të mjerueshme, skuadra zhvendoset në Gjilan

Stadiumi i Vllaznisë së Pozheranit “Ibrahim Kurteshi”, është në gjendje të mjerueshme dhe nuk i plotëson kushtet për t’u luajtur një ndeshje futbolli e rangut elitar.

Qysh në hyrje, vërehet gjendja jo e mirë, e brenda, përveç zhveshtores, bankinave, vendimit për media dhe fushës që janë në gjendje shumë të keqe, aty mund të gjesh edhe gjëra interesante, që mund ta kenë vendin çdo kund, por jo në një stadium futbolli.

Të gjitha këto fakte së bashku, kanë ndikuar që Vllaznia e Pozheranit, të mos ketë asnjë mundësi që ndeshjet si vendas t’i luajë në Pozheran, transmeton Sporti në KTV.

Gjendjen aspak të mirë infrastrukturore, e pohon edhe drejtori i klubit, Agon Pira, i cili thotë se deri me tani ka qenë e pamundur të intervenohet, por ai shprehet optimist se shumë shpejt do të fillojë rinovimi i stadiumit.

Ai zbulon se tashmë e kanë gjetur lokacionin se ku do të luajnë si vendas, derisa të rregullohet stadiumi.

Zhvillimi i ndeshjeve në stadiumin e qytetit në Gjilan, sipas Pirajt, mund të ndikojë negativisht në përkrahjen e skuadrës nga ana e tifozëve.

Pavarësisht problemeve infrastrukturore, klubi në aspektin financiar qëndron mirë dhe shpeshherë ndihmohet edhe nga bashkatëdhetarët që jetojnë në shtetet evropiane.

Por, edhe pse në kushte të mira financiare, futbollistët në njërën prej stërvitjeve për t’u përgatitur për sezonin e ri, detyrohen të kërkojnë pajisjet e tyre edhe në këtë mënyrë.

Vllaznia e Pozheranit, po bën gara në elitën e futbollit të Kosovës për herë të parë në histori të klubit.