Edicioni qendror i sportit në Kohavision, “Sporti Total”, vjen këtë të diel me zhvillimet dramatike në futbollin e Kosovës.
Temë kryesore në studio do të jetë përfundimi i sezonit për ligat e futbollit vendor, përveç Superligës, e cila do t’i vazhdojë garat. Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim për të përfunduar sezonet në Ligën e Parë, të Dytë, të Tretë dhe në të gjitha kategoritë më të ulëta me rezultatet e arritura deri në momentin e pezullimit të futbollit shkaku i pandemisë COVID-19.
Vendimi u bazua në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Lidhur me vendimet e organit më të lartë vendimmarrës në FFK dhe organeve shëndetësore pati edhe ankesa.
Për këtë temë do të flitet me përfaqësues të disa klubeve të pakënaqura, e ku më e zëshmja ishte KF Liria e Prizrenit, si dhe me ish-futbollistin, tani trajnerin e futbollit, Faruk Statovci.
Në studio do të ketë edhe analistë për të folur për situatën e krijuar, si dhe nuk do të mungojnë edhe lidhjet direkte me aktorët e përfshirë në këtë çështje. Do të provohet që në studio ose në lidhje direkte të ketë edhe përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Nuk do të harrohet as Liga e femrave, në të cilën do të përcaktohet titulli në ndeshjen mes Mitrovicës dhe Feronikelit. Do të flitet edhe për dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, në konkurrencën e femrave, që do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën, takime që do të shënojnë zyrtarisht rikthimin e futbollit kosovar pas pandemisë.
Prishtina-Drenica do të luhet të martën nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri”, kurse të mërkurën përballen Ballkani-Feronikeli nga ora 16:00.
Ndërkaq ndeshjet e Superligës do të rikthehen më 7 qershor. Përveç bisedës, do të ketë edhe reportazh për Besën e Pejës, e cila pas dy vjetësh u rikthye në Superligën e Kosovës. Klubi pejan ishte lider në Ligën e Parë dhe pas vendimit të FFK-së e siguroi rikthimin.
Një kronikë që pasqyron në detaje karakteristikat e ekipeve kandidate për titull të kampionit në Superligë dhe gjasat që ato kanë do të transmetohet gjatë emisionit. Po ashtu, do të ketë edhe paraqitje të disa ekipeve lidhur me përgatitjet për vazhdimin e sezonit.
Krejt në fund të emisionit do të mund t’i ndiqini golat nga ndeshjet kryesore të Bundesligës. “Sporti Total” si zakonisht transmetohet çdo të diel në Kohavision dhe nis në orën 22:15.