Sport

“Sporti Total” me telashet e klubeve të futbollit dhe intervista ekskluzive

Klubet e futbollit në Kosovë kanë nisur në distancë kritikat ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për ndarjen e mjeteve financiare të dedikuara për klube.

Sipas zyrtarëve të klubeve, shpërndarja e mjeteve nuk është bërë në mënyrë të drejtë nga FFK-ja, me klubet e Llapit e Trepçës ’89 më të zëshmet në akuza ndaj FFK-së dhe kryetarit Ademi.

“Sporti Total” këtë të diel sjell versionin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, lidhur me akuzat nga klubet dhe datat e mundshme kur mund të nisë futbolli në vend. Si çdo të diel tjetër, që nga shpallja e koronavirusit si pandemi, redaksia e “Sportit në KTV” ka sjellë te shikuesit intervista ekskluzive me sportistët kulmorë të vendit. Kështu do të jetë edhe këtë të diel.

“Për më shumë se një muaj, ‘Sporti Total’ ka realizuar intervista me futbollistët më të mirë të Kosovës, të cilët kanë

folur për kohën se si po përgatiten në këtë periudhë synimet, por edhe mesazhet për tifozët. Edhe këtë javë do të sjellim së paku dy intervista të tilla, me dy futbollistë të Kosovës, Valon Berisha dhe Arbër Zeneli”, ka thënë Bujar Mehmeti, udhëheqës i emisionit “Sporti Total”.

“Intervista të tjera do të sjellim nga sportistët tanë, si Edon Maxhuni basketbollisti që përfaqëson Finlandën dhe luan në Spanjë, por edhe sportistë të tjerë vendorë dhe punën e tyre gjatë kësaj kohe”, ka thënë Mehmeti.

Përveç intervistave, “Sporti Total” ka përgatitur golat e të gjitha skuadrave të IPKO Superligës, të realizuara në fazën e dytë të garave, pasi javën e kaluar ishin transmetuar golat nga faza e parë. Si zakonisht nuk do të mungojnë as profilet e sportistëve të rinj dhe ngjarjet e veçanta të sporteve në vendin tonë.

“Sporti Total” në KTV transmetohet çdo të diel nga ora 22:15.