Kjo e diel do të jetë shumë e pasur me aktivitete të shumta që zhvillohen në fundjavë, por me theks të veçantë në fillimin e IPKO Superligës në futboll. Sezoni pranveror do të startojë me derbin më të madh lokal në vend, i ashtuquajturi “Derbi i Anamoravës” ndërmjet dy ekipeve gjilanase, Drita dhe Gjilani.
Tifozët e të dyja ekipeve e kanë bërë të rëndësishëm këtë ndeshje në Kosovë, ndërsa në këtë vit pesha është edhe më e madhe, pasi të dyja ekipet kanë bërë përforcime dhe janë në krye të tabelës, duke luftuar për kreun. Ekipi i KTV-së do të jetë i pranishëm në këtë derbi të dielën për të përcjellë atmosferën në tribuna dhe rivalitetin e madh në fushë, ndërsa në mbrëmje kjo ndeshje do të analizohet në studio me mysafirë të ftuar, pikërisht për këtë ndeshje dhe për fillimin e sezonit pranveror në futbollin e Kosovës.
Pjesa e dytë e “Sportit Total” i kushtohet basketbollit dhe garës së Kupës së Kosovës “Final 8”. Me finalen që zhvillohet të shtunën në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, të dielën “Sporti Total” sjell raportet e detajuara me statistika dhe deklarata nga ekipet fituese. Një reportazh i veçantë në këtë edicion të “Sportit Total” vjen nga Zvicra, me ekipin e KTV-së që para dy javësh kishte përcjellë turneun e futbollit të vogël në qytetin St. Gallen.
Klubi i futbollit FC Besa ka organizuar edhe kësaj here turneun tradicional, me 56 skuadra pjesëmarrëse, jo vetëm nga Zvicra. “Ky turne masiv në qytetin e St.Gallenit, organizuar nga drejtuesit e klubit shqiptar FC Besa nga St.Gallen, mblodhi shumë shikues, që përveç rivalitetit në parket ishin dëshmitarë edhe të një atmosfere fantastike të shqiptarëve, që për shkak të komunitetit organizojnë shpesh aktivitete të tilla për t’i afruar të gjithë”, ka thënë Bujar Mehmeti, redaktor i Sportit në KTV. “Sporti Total” transmetohet çdo të diel nga ora 22:15, në KTV.