Sport

Spanjolli Alonso: Në Kosovë ndihem shumë mirë, me Besën kërkojmë kualifikimin ndaj Turdas

Hendbollisti spanjoll, Victor Alonso, kompletoi edicionin e kaluar te Besa Famgas. Fitoi dy trofetë dhe dha kontribut edhe në ndeshjet evropiane. Gjatë verës majtaku 31-vjeçar u transferua në Izrael, por javë më parë papritur u kthye te Besa e Pejës.

Në ndeshjen e së dielës ndaj skuadrës rumune, Potaissa Turda, Alonso ishte prej më të mirëve. Realizoi pesë gola në fitoren 30:28 të Besës në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshja e kthimit luhet sot në Turda të Rumanisë, nga ora 17:00. Me gjithë udhëtimin e gjatë prej 36 orësh, Besa synon ta eliminojë Turdan, kampionen e vitit 2018 të kësaj gare. Shumë pritet edhe nga Alonso, që ka disa ndeshje për Spanjën.

“Gjithnjë kam thënë se te Besa dhe në Kosovë ndihem shumë mirë. Më pas drejtuesit e klubit më dhanë mundësinë që të kthehem dhe unë e bëra këtë”, ka thënë Alonso të shtunën për KOHËN.

“Isha në Izrael, ku liga është e mirë dhe klima e shkëlqyeshme. Por kam pasur disa probleme atje dhe vendosa ta shkëpus kontratën”.

Pos në skuadra të ndryshme spanjolle, Alonso ka luajtur edhe te Stiinta Dedeman Bacau në Rumani. Pranon që Potaisssa Turda është skuadër më cilësore se Besa, por shton se synimi megjithatë është kualifikimi tutje.

“Turda është ekip më i mirë se ne dhe ne e dimë këtë. Kjo skuadër e ka fituar garën dhe ka cilësi. Por ne e dimë se mund ta fitojmë këtë ndeshje. Kemi opsionet tona dhe do të tentojmë t’i gjejmë ato deri në fund”, ka theksuar hendbollisti spanjoll, që kishte shprehur interesim të luante edhe për Kosovën.

Sipas Alonsos, Turda ka nga dy lojtarë në secilën pozitë dhe kjo e bën dallimin me Besën. Po ashtu mbrojtja e skuadrës rumune është shumë agresive dhe kundërsulmi i saj i shpejtë.

“Në Rumani hendbolli tani është shumë më i mirë se përpara. Por secili që ka luajtur në Turda e di se sa vështirë është të fitohet atje. Turda gjithnjë mbrohet në kufi të asaj që referët ia lejojnë. . Normalisht në shtëpi e lënë këtë skuadër të mbrohet në mënyrë shumë agresive. Në dhjetë vjetët e fundit Turda gjithnjë ka qenë në top-4 të Rumanisë. Kjo ka ndodhur pasi skuadra punon mirë çdo vit”, ka theksuar Alonso.