Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja U21 i bashkohet Anglisë në finale të Evropianit

Spanja U21 ka dhuruar paraqitje të jashtëzakonshme në gjysmëfinale kundër Ukrainës së kësaj grupmoshe. Shpresat e Spanjës të mërkurën mbrëma fituan me rezultatin 5:1 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale që u zhvillua në Bukuresht.

Ishte gjysmëfinalja e 11-të e Spanjës U21 në Kampionatin Evropian që sivjet po organizohet në Gjeorgji dhe Rumani. Spanjollët po synojnë që të krijojnë historinë me triumf në finalen e së dielës ku do të takohen me Anglinë U21.

Spanja dhe Italia kanë nga pesë tituj evropian, ndërsa së fundmi e fituan këtë garë në vitin 2019.

Me asistim të Mykhailo Mudrykut shënoi Artem Bondarenko që i kaloi ukrainasit në epërsi prej një goli në minutën e 13-të. Vetëm katër minuta zgjati epërsia e tyre pasi Abel Ruiz baraozi shifrat në 1:1. Oihan Sancet i dha epërsinë Spanjës në minutën e 24-t.

Për 3:1 realizoi Antonio Blanco në minutën e 54-t, kurse Aimar Oroz në minutën e 68-të realizoi golin e qetësisë për spanjollët. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar e vulosi Sergio Gomez në minutën e 78-të. Spanja U21 dhe Anglia U21 do të takohen në finale të dielën në Batumi Arena.