Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sousa largohet nga Polonia, zyrtarizohet te Flamengo

Skuadra e madhe nga Brazili, Flamengo ka zyrtarizuar portugezin Paulo Sousa në postin e trajnerit.

Zyrtarizimi i Sousas te Flamengo ka ardhur pak orë pasi trajneri portugez e ka paguar klauzolën e tij të lirimit për t’u larguar nga posti i përzgjedhësit te Përfaqësuesja e Polonisë. 51-vjeçari kishte kontrata me Federatën e Futbollit të Polonisë deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai me Flamengon ka firmosur kontratë dyvjeçare.

Largimin e Sousas nga Polonia e ka konfirmuar edhe federata polake. Bëhet e ditur se Sousa është dashur të paguajë 300 mijë euro për ta shkëputur kontratën me Poloninë. “Jam shumë krenar dhe i lumtur që do të jem në krye të një ekipi të madh si Flamengo.

Është koha që të punojmë, të kemi suksese dhe t’i gëzojmë tifozët tanë”, ka thënë Sousa nëpërmjet një video-mesazhi për tifozët e Flamengos. Ai në postin e trajnerit të Flamengos e ka zëvendësuar Renato Gauchon, i cili muajin e shkuar ka dhënë dorëheqje pas humbjes në finalen e Copa Libertadores nga Palmeirasi. Sousa e udhëhoqi Poloninë për 15 ndeshje, ku regjistroi gjashtë fitore, pesë barazime dhe katër humbje. Nën drejtimin e Sousas, Polonia siguroi një vend në plejofin për Botërorin “Katari 2022” duke përfunduar e dyta në grup.