Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sousa dëshiron të largohet nga Polonia

Trajneri portugez Paulo Sousa po dëshiron të largohet nga posti i përzgjedhësit të Përfaqësueses së Polonisë. Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza që e ka akuzuar trajnerin Sousa për sjellje të pahijshme.

Ai ka thënë se Sousa po dëshiron të largohet me çdo kusht nga Polonia pasi ka marrë ofertë nga një skuadër në Brazil, që sipas të gjitha gjasave është Flamengo.

Sousa është në krye të Polonisë prej janarit të këtij viti dhe ka kontratë deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Jam informuar se Paulo Sousa po dëshiron ta shkëpusë kontratën me marrëveshje të dyanshme për shkak se ka marrë një ofertë prej një ekipi tjetër. Kjo është papërgjegjësi e madhe nga ana e tij dhe për këtë arsye kam refuzuar kategorikisht”, ka thënë Kulesza.

Nën drejtimin e Sousas, Përfaqësuesja e Polonisë ka siguruar një vend në plejofin e Kampionatit Botëror “Katari 2022”.

Artikuj të ngjashëm