Kampioni i Copa Libertadores, klubi Flamengo, i ka besuar një trajneri evropian për Kupën e Botës për Klube.
Klubi brazilian punësoi trajnerin portugez, Vitor Pereira, për të udhëhequr skuadrën në turneun në Marok, ku Flamengo do të përpiqet t'i japë fund pritjes 11-vjeçare për titull të ekipeve të Amerikës së Jugut. Pereira është ish-trajner i Portos dhe Fenerbahçes, i cili mbërriti në Flamengo pasi ndezi disa polemika në Brazil. Ai kishte vendosur të largohej nga vendi i Amerikës së Jugut në dhjetor pas një sezoni të mirë me Corinthians, duke thënë se vjehrra e tij në Portugali kishte një problem serioz shëndetësor dhe se po e detyronte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Por në një kthesë tronditëse, 54-vjeçari Pereira nënshkroi marrëveshje njëvjeçare me Flamengon vetëm disa ditë më vonë.
“Familja ime e kuptoi që ne mund të merreshim me situatën shëndetësore dhe sfida profesionale do të ishte e rëndësishme për karrierën time”, tha Pereira për kanalet e mediave sociale të klubit. “Më duhej të merrja një vendim”.
Kupa e Botës për klube zakonisht përfundon me një finale të Amerikës së Jugut dhe Evropës, pjesërisht për shkak se këto dy rajone nuk takohen në gjysmëfinale. Nëse kjo ndodh përsëri këtë vit, Flamengo do të luante me Real Madridin më 11 shkurt.
Herën e fundit që një ekip i Amerikës së Jugut fitoi këtë garë ishte në vitin 2012 kur Corinthiansi mundi Chelsean, 1:0, në Japoni. Paraardhësi i Pereiras te Flamengo, Dorival, mori detyrën derisa skuadra pati vështirësi vitin e kaluar. Ai ndihmoi Flamengon, që kishte ekipin më të shtrenjtë në rajon, të fitonte Kupën e Brazilit, duke mposhtur Corinthiansin e trajnerit Pereira me penallti. Po ashtu siguroi trofeun e dytë të Copa Libertadores në katër vjet.
Shumë tifozë donin që Dorival të qëndronte, kështu që ai dhe Flamengo filluan të diskutojnë një zgjatje të kontratës në nëntor. Pas rundit të fundit të kampionatit brazilian më 13 dhjetor, trajneri publikoi një video për të thënë se po largohej sepse klubi kishte zgjedhur tashmë një pasardhës. Ai pasardhës ishte Pereira, i cili ishte ende nën kontratë me Corinthiansin dhe po bënte pushime me familjen e tij. Vendimi mërziti tifozët e Corinthiansit, të cilët besuan se Pereira nuk mund të qëndronte për arsye familjare.
Dhe kjo gjithashtu shqetësoi tifozët e Flamengos, të cilët panë Dorivalin të përmirësonte ekipin e tyre pasi gjeti hapësirë për sulmuesit Gabriel Barbosa dhe Pedro në formacionin startues. Drejtuesit e Flamengos thanë se kishin zgjedhur Pereiran sepse besonin se stili i tij evropian do të rriste shanset e ekipit për të fituar titullin e dytë botëror për klube. Në vitin 1981, një ekip i udhëhequr nga i madhi brazilian Zico mundi Liverpoolin 3:0 në finalen e Kupës Ndërkontinentale në Japoni. Me një trajner tjetër portugez në vitin 2019, Jorge Jesus, Flamengo i dha kampionit të atëhershëm evropian, Liverpoolit, një sfidë të vështirë në finalen e Kupës së Botës për Klube. Por një gol në kohën shtesë nga Roberto Firmino ia dha skuadrës angleze titullin.
Ndeshjet e para të Flamengos nën drejtimin e Pereiras kanë ofruar pak të dhëna për ndonjë ndryshim të mundshëm në ekip për Kupën e Botës për Klube. Mesfushori Gerson, i cili fitoi Copa Libertadores me klubin në vitin 2019, u kthye nga skuadra franceze, Marseille. Ai do ta zëvendësojë Joao Gomesin, një lojtar kyç mbrojtës, i cili u transferua në Angli te Wolverhamptoni. Pereira nuk e ka bërë të qartë nëse mbrojtësit veteranë David Luiz e Filipe Luiz, si dhe mesfushori Arturo Vidal do të kenë një vend në formacionin fillestar të Flamengos gjatë turneut.
Flamengo së pari do të luajë ose me kampionin afrikan, Wydad Casablanca, ose me kampionin e Azisë, Al Hilal, në gjysmëfinale të Kupës së Botës për klube.
Ngjarja nis më 1 shkurt me ndeshjen e rundit të parë Al Ahly (Egjipt) – Auckland City (Zelandë e Re). Më 4 shkurt është takimi Wydad Casablanca – Al Hilal. Po më 4 shkurt, Settale e SHBA-së takohet me fituesin e ndeshjes së parë.
Flamengo e luan gjysmëfinalen më 7 shkurt, ndërsa Real Madridi më 8 shkurt. Finalja është më 11 shkurt. Botërori i klubeve luhet në Marok.