Sport

Scolari po bëhet gati për finalen e fundit

Luiz Felipe Scolari ka të ngjarë të paraqitet të shtunën në finalen e fundit në karrierën 40-vjeçare si trajner, kur ai do ta drejtojë Athleticon kundër Flamengos në Copa Libertadores. Është finalja e tretë rresht braziliane në garën më prestigjioze në nivel klubesh të Amerikës së Jugut.

Ndeshja në Guayaquil, Ekuador, duket si një pikë referimi për 73-vjeçarin Scolari, i njohur me dashuri si “Big Phil”.

“Kësaj karriere me të vërtetë po i vjen fundi”, tha Scolari. “Nëse fitojmë Copa Libertadores, do të jetë kulmi i një karriere për të cilën kam punuar shumë. Nuk kam pritur kurrë kaq shumë, duke fituar gjithçka që kam fituar”.

Karriera e Scolarit ka parë nivelet më të larta - ai udhëhoqi Brazilin drejt titullit të fundit të Botës në vitin 2002 - dhe më të ulëta kur Gjermania poshtëroi Brazilin mikpritës të turneut, 7:1, në gjysmëfinalen e 2014-s. Scolari e çoi Portugalinë në finalen e Kampionatit Evropian në vitin 2004, ku humbi nga Greqia. Ai ka fituar dy tituj të Copa Libertadores si trajner. Kjo do të jetë finalja e tij e katërt. Skuadra e tij nga qyteti i Curitibas po ndjek titullin e parë në këtë garë, ndërsa po paraqitet për herën e dytë në finale. Flamengo, kampion i viteve 1981 dhe 2019, humbi vitin e kaluar nga Palmeirasi.

Pas poshtërimit të Brazilit në Kupën e Botës në Belo Horizonte, Scolari - karriera e të cilit përfshinte një periudhë të trazuar në ekipin e Premier Leagues, Chelsea - u kthye në klubin e tij të fëmijërisë Gremio dhe fitoi disa tituj edhe në Kinë me Guangzhou Evergranden. Tani pa mustaqet e famshme, Scolari u bë drejtor teknik i Athleticos më 4 maj. Por pesë ditë më vonë, me skuadrën që po luftonte në turne të ndryshëm, ai u bë trajner për pjesën tjetër të sezonit.

“Unë ende mendoj si trajner, jo si drejtor teknik. Por unë mendoj se do ta mbyll këtë vit këtu dhe do të ndihmoj në zgjedhjen e dikujt që do të marrë përsipër vitin e ardhshëm ekipin”, tha Scolari.

Që kur Scolari mori drejtimin e ekipit, Athletico ka eliminuar dy gjigantë nga Copa Libertadores - Estudiantes de la Plata të Argjentinës dhe kampionin në fuqi, Palmeirasin e Brazilit.

“Fuqia që kanë Flamengo e Palmeirasi është shumë më e madhe se e jona. Lista jonë e pagave është më e vogël se e rreth 12 klubeve në futbollin brazilian”, tha Scolari.

Athletico ka një sulmues premtues 17-vjeçar, Vitor Roque, ndërsa lojtari më i mirë në ekip është mesfushori uruguaian David Terans. Scolari po shikon gjithashtu përpara Kupës së Botës që fillon më 20 nëntor në Katar. Ai beson se brezi aktual i lojtarëve të Brazilit është aq i mirë sa mund të dominojë turneun në tri edicionet e ardhshme.

“Lojtarët e Brazilit e kanë këtë Botëror, ndoshta edhe të vitit 2026, dhe shumë prej tyre do të jenë në vitin 2030 në ekip”, tha Scolari kur u pyet për sulmuesit Vinicius Junior, Raphinha dhe Antony, të cilët kanë sjellë energji të re te Brazili duke luajtur përkrah Neymarit dhe të tjerëve.

“Këta fëmijë që janë titullarë tani, mund të na japin rezultatin që duam. Por ne nuk mund të bëjmë shumë presion. Në katër vjetët e ardhshme ata ndoshta do të jenë edhe më mirë”.

Ai gjithashtu shpreson për një paraqitje të mirë nga Portugalia e Cristiano Ronaldos, të cilën Scolari e quan “vendi im i dytë tani”.

I pyetur për momentet më të mira dhe më të këqija të karrierës së tij të përgjithshme, Scolari tha se nuk mund t’i zgjidhte.

“Më i lumturi, jo më i miri, ishte në fillim. Nuk e kisha ëndërr të shkoja kaq larg dhe fitova kampionatin shtetëror të Rio Grande do Sul me Gremion”, tha Scolari. “Nuk ka pasur moment më të keq. Ka faza që nuk funksionojnë, si viti 2014, dhe ju duhet të punoni për të ngritur veten. U largova, shkova në Kinë dhe në 11 turne që luajtëm fituam shtatë. Më besoni, nuk ka ndonjë humbje të veçantë”.

Scolari thotë se dëshiron të vazhdojë të punojë në Athletico si drejtor teknik, por është gati të tërhiqet plotësisht nëse nuk përshtatet dhe të kthehet në Porto Alegre për t'u bërë tifoz me “orar të plotë” i Gremios. Çfarëdo që të ndodhë, jeta është e mirë tani për trajnerin veteran.

“Jam mirë me shëndet, kam tre nipa e mbesa në Portugali, kam miq në të gjithë botën. Nuk e kam menduar kurrë se kjo ishte e mundur”, tha Scolari i përlotur. “Djali im sapo bleu një ulëse në stadiumin e Gremios. Sot nuk mund të shkoj atje, por ndoshta brenda një viti do të jem në gjendje”.

Scolari mbetet i dashuruar me futbollin.

“Futbolli ende më lëviz”, tha Scolari. "Por unë do ta jetoj atë me intensitet më të ulët”.