Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Solskjaeri synon kthimin e frymës së Fergusonit tek Unitedi

Ole Gunnar Solskjaer ka pranuar se nuk dëshiron të jetë trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit, por ta drejtojë ekipin përtej gjashtë muajve kontratë në Old Trafford.

Legjenda e Unitedit që erdhi nga klubi Molde në formë huazimi deri në fund të sezonit për të zëvendësuar të shkarkuarin Jose Mourinho, në konferencën e tij të parë për media ka thënë të ketë kërkuar këshilla nga Sir Alex Fergusoni, të cilin e ka përshkruar si “mentor”, para ndeshjes me Cardiffin.

“Kam qenë në kontakt me të. Nuk ka më të mirë për këshilla”, ka thënë Solskjaer.

“Ai ka ndikuar tek unë për shumëçka. Me mënyrën se si është përballur me njerëzit, stilin e menaxhimit të klubit, si i mbante të lumtur 25 lojtarë të kombeve të ndryshme dhe të etur për t’u përmirësuar, por gjithashtu edhe stafin dhe njerëzit përreth”, ka thënë Solskjaer.

“Ka qenë mentori im, por këtë nuk e kam kuptuar deri vonë. Kah fundi, ndoshta prej lëndimit në vitin 2003, unë po merrja shënime për mënyrën si përballej me situata të ndryshme”, ka thënë norvegjezi që ka thënë se synon të kthejë stilin tradicional të Unitedit.