Trajneri kosovar, Bylbyl Sokoli, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se Kosova është favorite absolute ndaj Moldavisë.
“Dardanët” nesër nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” do ta presin Moldavinë për ta zhvilluar ndeshjen e fundit të Grupit 3 në Ligën C në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Mendoj se Kosova është favorite absolute kundër Moldavisë. Nuk shoh ekip te Moldavia i cili mund ta rrezikojë fitoren e Kosovës. Jam i bindur në fitoren e Kosovës për shkak të lojës së treguar ndaj Sllovenisë dhe për shkak të potencialit që ka Kosova mendoj se nuk vjen në shprehje rezultat tjetër pos fitores”, ka thënë Sokoli.
Në ndeshjen e parë Kosova kishte barazuar 1 me 1 ndaj Moldavisë, e për këtë Sokoli ka thënë se ishte rrjedha e lojës, një kundërsulm që i kishte kushtuar Kosovës, por edhe forma dhe presioni ndaj Kosovës e ka bërë të vetën.
Porse në këtë ndeshje ai është i bindur në fitoren e Kosovës dhe në këta futbollistë, në mënyrë që të sigurohet mbetja në Ligën C.
“Kanë ndikuar shumë faktorë në këto rezultate (të dobëta), e njëra prej tyre ishte mungesa e lojtarëve kyç. Kosova në ndeshjet e fundit nuk ka funksionuar si grup, i ka munguar kompaktësia në fazën e sulmit”, ka thënë Sokoli.
Ai thotë se përveç Muriqit e Rashicës, pjesa tjetër e ekipit nuk luan në liga të forta dhe nuk kanë minutazhë te ekipet e tyre, gjë që sipas tij, është shumë e rëndësishme.
“Në ndeshjen e fundit është parë se potenciali është aty, por mungonte kompaktësia. Janë larg njëri-tjetrit, në mundësi të bashkëpunimit dhe kjo nuk ka funksionuar te sulmuesit. Ajo që i mungon Kosovës është se ajo nuk funksionon si grup dhe arsyet i dinë ata brenda. Pas çdo gabimi në ndeshjen ndaj Shqipërisë kishte komente. Mendoj se nuk ka komunikim të duhur dhe kjo ndikon në rezultatin e lojës kolektive”, ka thënë Sokoli.
Sipas tij përgjegjësia i bie shtabit teknik për këto probleme, megjithatë mungesa e lojtarëve ka ndikuar në rezultatet e fundit.
“Duhet kontribuuar të gjithë, si trajnerët, krerët e Federatës e lojtarët në mënyrë që ta kthejmë forcën e grupit dhe harmoninë. Nëse nuk do të jenë të suksesshëm barra u bie shtabit teknik, por edhe lojtarëve. Jam i sigurt se Zhegrovës i duhet një këshillim nga pedagogët brenda, por edhe të tjerëve”, shprehet ai.
Ai thotë se e përmendi Zhegrovën sepse pati ndeshjen më të mirë ndaj Sllovenisë sepse në pjesën e dytë ndryshoi.
Sokoli thotë se për ndeshjen ndaj Sllovenisë duhet komplimentuar shtabi teknik për mënyrën që u zhvillua loja.
“Jam i sigurt se Zhegrovës i nevojitet punë profesionale dhe pedagogjike që duhen shumë biseda dhe seanca teorike me të, pse jo edhe me të tëra repartet”, ka thënë ai.
Sipas tij arma e fortë e Kosovës është shpejtësia e sulmit.
“Mungon ndoshta mënyra e lojës me qenë më efikase. Më afër fitores kemi qenë me Greqinë se sa me Slloveninë, në saje të rasteve që zgjidhte Kastrati. Duhet përshtatur lojën këtyre lojtarëve. Ndeshja ndaj Moldavisë s’duhet të luhet me kundërsulme, por me presing në mënyrë që të shënohet sa më herët goli”, ka thënë ai.
Sokoli ka thënë se Kosova po kalon në një periudhë në të cilën janë shfaqur dobësitë, porse që duhet të shfrytëzohet në mënyrë që të përmirësohen.
“Në këtë moment duhet të gjithë ta përkrahin trajnerin Challandes, ai e njeh mirë mentalitetin tonë. Njeri më adekuat se sa Challandes nuk ka Kosova. Duhet me i ndihmuar duke kritikuar më tepër disa prej lojtarëve për të zbatuar detyrat. Lojtarët janë individët që janë të përzgjedhur”, ka thënë Sokoli.