Sport

Sllovenët mund të pendohen për Kryeziun, por ai ka ndarë mendjen të luajë për Kosovën

I lindur në Kranj të Sllovenisë dhe me paraqitje te përfaqësuesja U17 e këtij vendi. Pjesë e Torinos dhe në prag të debutimit në Serie A. Gjithë këto e bëjnë Altin Kryeziun lojtar me potencial për të siguruar ftesë nga përfaqësuesja A e Sllovenisë.

Por, Kryeziu ka drejtim tjetër. Ai shpreson që të debutojë së shpejti te Torino dhe kështu të hapë rrugën për te përfaqësuesja A. Te përfaqësuesja e Kosovës, jo ajo e Sllovenisë, vendit ku është i lindur.

Kryeziu është nga Kosova dhe vitin e kaluar i luajti tri ndeshje për Shpresat e Kosovës. Mesfushori është vetëm 19-vjeçar dhe pritet të jetë sërish te përfaqësuesja U21 e Kosovës.

Fakti se Kryeziu është në prag të debutimit në kampionatin italian, ka shtyrë mediat sllovene të shkruajnë për një talent të humbur.

Është gazeta “Ekipa” që ka shkruar ditë më parë për Kryeziun. Në titull ka pyetur nëse bëhet fjalë për një pendim të madh. Ka pyetur edhe nëse Sllovenisë i është “vjedhur” ky lojtar me potencial.

“Një slloven që nuk do të luajë për Slloveninë? Ne morëm Sandi Lovriqin nga austriakët, por në të njëjtën kohë mbetëm pa një futbollist që është në prag të debutimit në Serie A? Bëhet fjalë për Altin Kryeziun. Ai është i lindur në vitin 2002 në Kranj, ku e nisi karrierën. Ka luajtur për Triglavin, por është larguar herët për në Itali”, ka shkruar gazeta sllovene.

Në korrik të vitit 2019, Kryeziu kaloi te SPAL-i. Vjet kaloi te Torino.

Me ekipin e të rinjve të Torinos ka luajtur 12 ndeshje. Është grumbulluar disa herë me ekipin e parë për ndeshje të Serie A, ndërsa ishte grumbulluar me ekipin e parë edhe sa ishte te SPAL-i.

Së fundi u grumbullua më 7 mars në ndeshjen ndaj Crotones. Te Torino janë edhe Samir Ujkani e Mërgim Vojvoda.

Ndonëse ka sinjale te sllovenët, Kryeziu thotë se vendimi i tij për të luajtur për Kosovën nuk ka kthim prapa.

“Kam qenë sërish në ekip, por ende nuk kam debutuar. Po ushtroj goxha shumë me ekip të parë dhe shpresoj të debutoj së shpejti. Sa herë që skuadra e parë ka nevojë për mesfushorë, më thërrasin. Trajneri, por edhe drejtuesit e klubit, kanë shumë fjalë të mira për mua. Unë po luaj rregullisht me ‘Primavera’, por shpresoj që të filloj të luaj edhe me ekipin e parë”, ka thënë Altin Kryeziu për KOHËN.

Ai nuk i ka lexuar shkrimet e mediave sllovene.

“Unë po shpresoj të filloj të luaj në Serie A dhe më pas të marr ftesën nga Kosova A. Këtë jam duke e pritur. Më së shumti varet nga unë natyrisht. Ne lojtarët jemi menaxherë të vetes. Duhet të punojmë shumë, të shfaqim vlerat dhe më pas menaxherin e vërtetë e pret punë e lehtë. Kam folur edhe me Samirin dhe ai më ka thënë se do të më ndihmojë për të luajtur në Serie A dhe te Kosova”, ka shtuar Kryeziu.

Kosova zhvillon garë me shumë shtete për futbollistët e talentuar. Konfliktet më të mëdha kanë qenë me Zvicrën, ndërsa për herë të parë mediat sllovene shkruajnë për një futbollist të “humbur” e që është te Kosova.

Kryeziu ka kontratë me Torinon deri në verën e vitit 2023 me mundësi të vazhdimit edhe për një vit.

“Unë kam kontratë, por unë jam i interesuar që të luaj. Nëse nuk luaj këtu, atëherë duhet të shikoj për opsione tjera, për klube ku do të mund të luaj. Vështirë se klubi do të më lirojë të kaloj diku tjetër si transferim i plotë, por ndoshta mund të më huazojë. Natyrisht shumë më mirë do të ishte nëse ia dal që të luaj me Torinon në Serie A. Debutimi në Serie A është shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Kryeziu.

Gazeta sllovene ka ngritur dilema nëse Kryeziu do të ndërrojë mendje dhe do të luajë për Slloveninë, nëse eventualisht merr ftesë. Ai ende e ka të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses. Por, vetë lojtari e ka përjashtuar këtë opsion. Kosova është në planet e tij.