Një vit më parë, Altin Kryeziu ishte gati të debutonte në Serie A, një prej kampionateve më të forta të futbollit në Evropë. Në një pozicion të ngjashëm ishte edhe sivjet. Por, si te Spali ashtu edhe tash te skuadra e Torinos, nuk arriti ta bëjë hapin e madh. Megjithatë, ai nuk ka hequr dorë. Kryeziu që luan për Shpresat e Kosovës (U21) vazhdon ta ndjekë ëndrrën për të debutuar në Serie A.
Mesfushori Kryeziu ishte përfshirë në dy ndeshje te Torino, por nuk u aktivizua. Mirëpo, ai pret që edhe në të ardhmen të marrë ftesë nga trajneri i ekipit të parë të skuadrës torineze.
“Synimi dhe prioriteti im kryesor është debutimi me ekipin e parë të Torinos në vitin 2021. Por, unë duhet të zhvillohem sa më shumë dhe ta fitoj besimin e stafit të trajnerëve të ekipit të parë të Torinos dhe pastaj kur unë ta fitoj rastin për debutim, të mos kthehem më prapa”, ka thënë futbollisti i ekipit “Primavera” të Torinos.
Kryeziu insiston se nuk e ka pritur që kaq shpejt ta ketë rastin të jetë të paktën pjesë e grumbullimit në ekipin e parë të Torinos.
“Të them të drejtën, e kam pritur rastin, por jo kaq shpejt. Por, për shkak të disa lëndimeve, faktit që disa lojtarë të Torinos kanë qenë me virus, e kam fituar rastin të jem pjesë e ekipit të parë për disa ndeshje në Serie A”, ka thënë 18-vjeçari i lindur në Kranjë të Sllovenisë.
Ai iu bashkua ekipit të të rinjve të Torinos në shtator të këtij viti. Skuadrës torineze iu bashkua nga ekipi i të rinjve të Spalit, që garon në Serie B të Italisë këtë edicion.
“Debutimin afër e kisha edhe vitin e kaluar sa isha pjesë e Spalit, por nuk u bë. Ishte sezoni i kaluar kur unë u ftova në pesë ndeshje dhe isha gati të futesha në fushë. Atë që nuk arrita te Spal, pres ta arrij me Torinon. Unë vazhdoj të jem herë pas here pjesë e stërvitjeve të ekipit të parë, por më shumë jam me ekipin e të rinjve”, është shprehur Kryeziu.
Karrierën si futbollist e nisi në Triglav të Sllovenisë si nëntëvjeçar. Aty ka qëndruar deri në vitin 2019. Nga kjo skuadër bëri një hap para në karrierë. U transferua te të rinjtë e Spalit, ku për pesë ndeshje në edicionin e kaluar në Serie A ishte pjesë e ekipit të parë.
“Torino më ofroi kushte më të mira dhe e zgjodha pas konsultimeve që bëra me familjen. Besoj se është zgjedhja më e mirë për mua për vazhdim të karrierës”, ka deklaruar Kryeziu që me rrënjë është nga Suhareka. “Unë kam kontratë profesioniste me skuadrën e të rinjve të Torinos, jo ende për ekipin e parë. Unë jam i gatshëm ta jap edhe kontributin tim tek ekipi parë, por për atë vendos trajneri. Ëndrra ime është të bëhem lojtar profesionist dhe të luaj në nivele të larta. Besoj se do të qëndroj gjatë në Serie A”.
Kryeziu është edhe pjesë e Shpresave të Kosovës. Ai për “Dardanët” e rinj ka luajtur dy ndeshje kualifikuese për kampionatin evropian të vitit të ardhshëm. Ai luajti në humbjen e thellë ndaj Anglisë 6:0 dhe kundër Austrisë 1:0. Para se të luajë për Kosovën U-21, Kryeziu i pati edhe dy paraqitje për U-17 të Sllovenisë. Të dyja këto ndeshje ishin miqësore dhe kundër Zvicrës. Por, ai shpreson shpejt ta fitojë rastin të luajë edhe për përfaqësuesen A të Kosovës.
“Unë jam pjesë e ekipit U-21 të Kosovës dhe jam i kënaqur. Ndihem mirë kur marrë ftesë nga Kosova dhe mund të them se ndjenjë më të mirë nuk ka. Me punë dhe përkushtim e forcë gjithçka arrihet. Unë do të punoj fort për ta fituar rastin të luaj për Kosovën A”, ka theksuar Kryeziu.
Pjesë e Torinos janë edhe dy futbollistët e Kosovës, portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda. Kryeziu thotë se nga të dy futbollistët është përkrahur shumë. Madje, tregon se Ujkani ia ka lëshuar numrin 96 që e ka në fanellë.
“Si Vojvoda ashtu edhe Ujkani më kanë ndihmuar goxha shumë. Ujkani ma ka dhënë edhe numrin 96. I jam falënderues të dyve. Të dy janë të shkëlqyer. Ujkani më ka thënë se është i hapur të më ndihmoj në çdo drejtim”, ka thënë Kryeziu.