Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Bilanci i rrallë i Almir Kryeziut – 11 gola e 11 asistime

almiri

Kur ka topin në këmbë, Almir Kryeziu di çfarë të bëjë. Ose shënon gol ose asiston për bashkëlojtarët. Të dyja i ka bërë nga 11 herë me fanellën e Ballkanit në edicionin aktual.

“22 herë ndikim direkt në rezultat”, shkruan Ballkani me mburrje për sulmuesin e krahut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për bilancin e rrallë, numrin e njëjtë të golave e asistimeve, komenton vetë futbollisti.

“Këtë edicion ka ndryshuar shumë qasja ime ndaj punës dhe përgatitjes”, tha Kryeziu për KOHËN të hënën. “Kam punuar më shumë fizikisht dhe mentalisht”.

Rol të rëndësishëm në këtë ecuri kanë luajtur edhe bashkëlojtarët dhe stafi teknik. Futbollisti nga Xërxa e Rahovecit ka arsyetuar besimin e trajnerit.

“Besimi që më ka dhënë trajneri dhe skuadra ka ndikuar shumë. Ndihem shumë mirë në fushë dhe po mundohem ta ndihmoj ekipin sa më shumë, me gola apo asistime”, thotë 27-vjeçari.

Kryeziu mendon vetëm për ekipin. Thotë se prioritet janë rezultatet e Ballkanit.

“Nuk është aspak e lehtë të shënosh gola, sepse çdo ndeshje në futbollin e Kosovës është shumë e luftuar dhe çdo kundërshtar të vështirëson punën. Motivimi im kryesor është dëshira për ta ndihmuar ekipin të fitojë dhe për të dhënë maksimumin në çdo takim. Kur sheh që puna po shpërblehet, kjo të jep edhe më shumë motivim”, është shprehur Kryeziu.

Ai mbetet me këmbë në tokë. Fton bashkëlojtarët të mbesin të fokusuar maksimalisht për të kthyer titullin në Suharekë. Sipas Kryeziut, detajet do të vendosin kampionin.

“Besoj se diferencën do ta bëjnë detajet. Skuadra që ruan më shumë qetësinë dhe fiton ndeshjet e mëdha do të jetë ajo që e merr titullin”, ka theksuar Kryeziu.

Gara për titull do të jetë e hapur deri në fund. Me shumë gjasë për trofeun më të çmuar do të luftojnë Drita dhe Ballkani.

Kampionia në fuqi, Drita, është liderë me 51 pikë, ndërsa Ballakani mban pozitën e dytë me 48 pikë. Nga 42 pikë në pozitat tre dhe katër i kanë Prishtina e Gjilani.

Kryeziu beson se Ballkani në fund do të shpallet kampion.

“Po, absolutisht. Kemi një skuadër me cilësi, përvojë dhe shumë besim te vetja. E dimë që Drita është kundërshtare shumë e fortë, por besojmë në grupin tonë dhe në punën që po bëjmë çdo ditë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm dhe fokus, besoj se në fund mund të jemi ne ata që e festojmë titullin”.

Karriera e Kryeziut është ndërtuar në Kosovë.

Te të rriturit debutoi te Liria e Prizrenit, ndërsa ka luajtur edhe për Rahovecin, Xërxën, Arbërinë dhe Dritën para se t’i bashkohej Ballkanit në vitin 2023.

Kryeziu mbetet i hapur për të bërë hapin e radhës në karrierë - jashtë vendit. Por ai mbetet i fokusuar plotësisht në luftën për titull.

“Normalisht që çdo lojtar punon për të bërë hapa të mëdhenj në karrierë dhe kjo formë mund të jetë një mundësi e mirë. Nëse vjen momenti i duhur dhe një ofertë serioze, sigurisht që do ta shqyrtoja me shumë kujdes. Qëllimi im është të vazhdoj të përmirësohem, të ndihmoj ekipin aktual dhe pastaj të shoh mundësitë për të ardhmen, edhe jashtë Kosovës”, ka thënë Kryeziu.