Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skuadrat lidere synojnë fitore

Tottenhami do të synojë ta mbajë pozitën e parë në Premier League edhe pas xhiros së 11-të. Megjithatë, lideri aktual në këtë xhiro nuk do të ketë aspak punë të lehtë edhe pse luan në shtëpi. Të hënën prej orës 21:00, Tottenhami përballet me skuadrën e Chelseat, në duelin e fundit të kësaj xhiroje. Bazuar në renditjen aktuale dhe formën e skuadrave, Tottenhami vlerësohet favorit i madh ndaj Chelseat. Është i pari në tabelë me 26 pikë të mbledhura, 14 më shumë se Chelsea që zë vendin e 11-të. Po ashtu, Tottenhami ende nuk di për humbje këtë edicion, pasi ka regjistruar 8 fitore e dy barazime në dhjetë ndeshje të luajtura deri më tani. Në fakt, Tottenhami i ka fituar katër prej pesë ndeshjeve të fundit dhe po vlerësohet ndër favoritët për titullin e kampionit këtë edicion. Në anën tjetër, Chelsea në pesë ndeshjet e fundit, ka tri fitore, një barazim e një humbje dhe nuk ka pasur aspak start të mirë. Në total, Chelsea deri më tani ka 3 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje nën drejtimin e trajnerit Mauricio Pochettino, i cili e njeh mirë Tottenhamin. Pochettino, që mori drejtimin e Chelseat para fillimit të këtij edicioni, ka qenë në krye të Tottenhamit për pesë vjet.

Krahas Tottenhamit, edhe Arsenali që nuk di për humbje këtë edicion në kampionat, ka një ndeshje të vështirë. Të shtunën prej orës 18:30, Arsenali luan në udhëtim te Newcastle Unitedi. Arsenali është i dyti në tabelë me 24 pikë, ndërsa Newcastle ka 17 pikë të tubuara dhe zë vendin e gjashtë. Skuadra e Mikel Artetas në këtë ndeshje do të futet pas eliminimit në Kupën e Ligës nga West Ham Unitedi.

Ndërkohë, Newcastle do të jetë i motivuar pas fitores 3:0 ndaj Manchester Unitedit, të cilin e eliminoi në Kupën e Ligës. Të shtunën, por prej orës 13:30, Manchester Unitedi do të jetë mysafir i skuadrës së Fulhmanit.

Ndërsa Manchester City do të përballet me Bournemouthin prej orës 16:00. Të dielën, skuadra e Liverpoolit luan në udhëtim ndaj Lutonit, ndeshje kjo që nis në orën 17:30.

Artikuj të ngjashëm